Partia në pushtet e Japonisë miratoi të enjten planin e qeverisë për lehtësimin e kërkesave për përdorimin e armëve kundër objekteve fluturuese që shkelin hapësirën ajrore të vendit, mes shqetësimeve se si t’i përgjigjen inkursioneve territoriale nga balonat spiune kineze.
Plani, i shpjeguar nga zyrtarë qeveritarë gjatë një takimi të Partisë Liberal Demokratike, do t’u mundësonte Forcave të Vetëmbrojtjes që të qëllonin me armë për të garantuar sigurinë e trafikut ajror dhe për të mbrojtur jetën dhe pronat e njerëzve në terren, thanë ligjvënësit.
Aktualisht, forcat japoneze mund të përdorin armë vetëm për vetëmbrojtje legjitime ose për shmangien e rrezikut të qartë dhe të pranishëm, ndërsa ligji i ri parashikon që “masat e nevojshme” mund të merren nëse avionë të huaj hyjnë në qiejt e Japonisë.
Kjo lëvizje vjen pasi Ministria e Mbrojtjes tha të martën se të paktën tre objekte fluturuese të paidentifikuara janë konstatuar mbi hapësirën ajrore territoriale të Japonisë në tre vjet nga viti 2019 dhe dyshimeve të forta se ishin balona spiune kineze, pa pilot.
Tre objektet fluturuese të zbuluara në Japoni ishin në prefekturën Kagoshima, Japonia jugperëndimore, në nëntor 2019 dhe prefekturat verilindore të Miyagi dhe Aomori në qershor 2020 dhe shtator 2021.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrëzuan një balonë kineze më 4 shkurt në brigjet e Karolinës së Jugut, duke ringjallur tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit.



