Agjencia globale e koordinimit të policive, Interpol, paralajmëroi të mërkurën se rrjetet e organizuara kriminale mund të vënë në shënjestër vaksinat COVID-19 dhe mund të gjejnë mënyrat për të shitur doza të rreme.
Interpol, me seli në Francë, bëri të ditur se ka ngritur një alarm global për zbatimin e ligjit në 194 vendet e tij anëtare, duke i paralajmëruar ata që të përgatiten për rrjetet e krimit të organizuar që synojnë vaksinat COVID-19, si fizikisht ashtu edhe në internet.
“Ndërsa qeveritë po përgatiten të furnizohen me vaksina, organizatat kriminale po planifikojnë të infiltrojnë ose të ndërpresin zinxhirët e furnizimit. Rrjetet kriminale do të vënë gjithashtu në shënjestër njerëz për të cilët ka pak dyshime, përmes faqeve të internetit të rreme dhe kurave të rreme, të cilat mund të paraqesin një rrezik të madh për shëndetin, madje edhe jetën e tyre", tha sekretari i përgjithshëm i Interpolit, Juergen Stock.



