Deputeti i Partisë Socialiste Arben Pëllumbi sqaroi sot përmes një interviste në edicionin e lajmeve të MCN TV se paketa e re për fermerët synon ti ndihmojë ata drejtpërdrejt dhe parë të shkojnë aty ku duhet. Siç u shpreh Pëllumbi fermerët duhen ndihmuar që të mos prodhojnë të njëjtin produkt duke bërë mbiprodhim, i cili më pas mund të mos tregtohet. Pëllumbi tha se fermerët duhet të bashkojnë prodhimin dhe të gjejnë tregje më të rëndësishme.
Intervista:
Z. Pëllumbi, së fundmi është miratuar buxheti i vitit 2022, ka hasur jo pak kundërshti, të paktën sa i përket paketës fiskale, jo vetëm nga opozita por dhe nga pjesëtarë të mazhorancës. Pse nuk i merr në konsideratë mazhoranca këto kritika?
Pëllumbi: Duhet të diskutojmë në dy aspekte, shumë fermerë kanë protestuar për skemën 6% që nuk ka arritur tek ata. Në paketën e re ne kemi menduar një paketë tjetër që ti çojmë tek ata drejtpërdrejt. Ashtu siç është diskutuar me kryeministrin dhe fermerët qëllimi është ti ndihmojmë dhe paratë të shkojnë atje ku duhet. E dyta është që duhet ti ndihmojmë fermerët të mos prodhojnë të njëjtën gjë dhe ai që prodhon nuk mundet që edhe të tregtojë. Fermerët duhet të bashkojnë prodhimin dhe të gjejnë tregje më të rëndësishme. Ne kemi 4-5-fishuar eksportet bujqësore dhe kjo ka ndikim të madh në GDP e vendit. Ne jemi të interesuar të ndihmojmë ato pika të bujqësisë që të mos kemi hedhje të produkteve.
Pse Braçe mendon që prej 2018-ës keni braktisur fermerët?
Pëllumbi: Ne kemi bërë debate të shumta. Fakti që kemi bërë rritje 10% të imputeve bujqësore Braçe nuk e përkrahte. Ai ishte I interesuar që paketa fiskale të kishte formë tjetër konceptuale. Por ne jemi në të njëjtin drejtim sa I përket rritjes së nivelit.
Le të ndalemi pak tek zhvillimet brenda partisë socialiste, e cila që pas zgjedhjeve të 25 prillit ka nisur analizën e brendshme. Çfarë ka rezultuar deri tani nga kjo analizë? Dhe a do të ndryshojë statuti i partisë?
Pëllumbi: Më 25 prill PS ka fituar dhe fitimtari nuk gjykohet. Strukturat tona meritojnë një falenderim. Jemi në fazën e analizave edhe pse fituam bindshëm struktura jonë nuk është perfekte dhe kudo ka nevojë për analizë për të parë çfarë nuk funksionoi siç duhet për të qenë gati për zgjedhjet lokale në 2023-shin.
Ka një draft për ndryshimin e statutit?
Pëllumbi: Statuti i PS ka ndryshime të vazhdueshme ashtu si vetë koha. Ne kemi bërë në 2019-ën ndryshime rrënjësore dhe jemi duke bërë të tjera por nuk ka transformime të mëdha.



