
Një ditë më parë kryetarja e LSI, zonja Monika Kryemadhi propozoi që qeveria të ndërpresë kontratat me incerenatorët dhe këto para të përdoren për emergjencat civile për të përballuar situatën e zjarreve.
Lidhur me këtë propozim, në studion e lajmeve në MCN TV sekretari i përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari deklaroi se qeveria nuk e ka situatën në kontroll nga zjarret dhe se sipas tij kjo papërgjegjshmëri ka vetëm një përgjigje, Rama dhe qeveria e tij fokusohet tek interesat e tyre personale dhe jo tek qytetarët.
Ndërsa lidhur me ndërprerjen e kontratave të inceneratorëve, Braimllari tha se ka një pikë të veçantë në të ku tregohet qartë mënyra se si mund të prishet ajo.
Duke përsëritur edhe njëherë se përgjegjësit të drejtpërdrejtë të aferës së inceneratorëve mbajnë emrin e Engjëll Agaçit, Erion Veliaj, Edi Rama, Subashi dhe ministritë ku ka kaluar kjo çështje, LSI kërkon një hetim më të thelluar nga SPAK.
Intervista e plotë
1.Prej 4 ditësh vijon të digjet ishulli I Sazanit. Zonja Kryemadhi ka propozuar që paratë e kontratave të inceneratorëve të përdoren për emergjencat civile. SI mund të realizohet kjo? Sa para do përftoheshin nga ndërprerja e këtyre kontratave?
Në fakt është e qartë që kemi të bëjmë me një situatë që nuk është në kontroll nga ana e qeverisë. Ajo nuk po mbron territorin dhe qytetarët. Zjarret mund të jenë fatkeqësi natyrore apo e qëllimshme por qeveria duhet ti menaxhojë. Në momentin që Shqipëria ka vendosur të jetë anëtare e NATOs, sot territori ajror mbrohet nga partnerët, kjo tregon qartë degradimin e qeverisë Rama, mbrojtjes, është histori e përsëritur çështja e zjarreve tek ne. Nuk kemi një reagim të shpejtë. Ne e kemi denoncuar herë pas herë por qeveria nuk mori masa dhe nuk bëri asnjë plan për vitin që vjen më pas. Kryemadhi ka bërë publike aferën e inceneratorit si një nga aferat më të mëdha në vend si një grup i strukturuar që drejtohet nga qeveria. E bërë tashmë publike ajo prek të gjitha fashat e ekonomisë dhe ajo që ka sugjeruar Kryemadhi është ajo e incenearatorit të Fierit. Të ardhurat që buxheti i shtetit çon për inceneratorët mund të ishin përdorur për pajisje të emergjencave civile. Efektivët përballen drejtpërdrejt me zjarret dhe situatën dhe ata duhet të jenë të pajisur me mjete dhe veshje të veçanta. Kjo papërgjegjshmëri ka vetëm një përgjigje, Rama dhe qeveria e tij fokusohet tek interesi i tij personal dhe jo tek qytetarët.
2. Ndërprerja e kontratave të inceneratorëve a nuk do të krijonte një tjetër emergjencë, atë të menaxhimit të mbetjeve urbane? Juridikisht si mund te trajtohet çështja e menaxhimit te këtyre impianteve?
Kryemadhi e ka bërë të qartë dhe duke e denoncuar këtë situatë. Inceneratorët është një çështje e madhe korruptive. Në kontratat e inceneratorëve ka një pikë ku tregohet qartë se si mund të prishet kontrata. Ne do i shkojmë deri në fund kësaj çështje, ndaj Kryemadhi ka dërguar dhe një shkresë në SPAK. Do të ketë një hetim të thelluar sepse nuk duhet të vonohet më shumë kjo çështje sepse thellohet edhe më shumë gropa e buxhetit të shtetit.
3. Propozimi qe ju bëni, nen përgjegjësinë e kujt ministrie do te ishte si zbatim procedure? Pra caktimi i një administrator etj., siç kemi pare ne raste te tjera te sekuestrove ne subjekte private?
Ligji për sekuestrot e përcakton qartazi. Problemi qëndron te mungesa e vullnetit të qeverisë sepse çdo ditë që shtyhet çështja e inceneratorëve aq më shumë para fut në xhep Rama nga buxheti. Ata nxjerrin skube vetëm për të tërhequr vëmendjen. Përgjegjësi të drejtpërdrejtë mban Engjëll Agaci, Erion Veliaj dhe Subashi si dhe ministritë ku ka kaluar kjo çështje. Kërkojmë një hetim më të thelluar nga SPAK dhe minimumi të përfshirët të merren në pyetje dhe të mos hiqet vëmendja nga opinioni publik duke hedhur skube. Ne jemi të vendosur për të zbardhur të vërtetën e aferës së inceneratorëve.
4. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka akuzuar një çift nga Rubiku, konkretisht Arben dhe Marika Përlala si të përfshirë në aferën e inceneratorëve. Ajo i akuzoi ata se kanë përfituar 9 milion dollarë nga kjo aferë. Cili është roli i këtyre personave? Çfarë përfaqësojnë ata?
Këta persona jo vetëm kanë kryer falsifikime por është e qartë skema. Inceneratorët s’kanë të bëjnë vetëm me vjedhjen e buxhetit të shtetit por dhe me pastrimin e parave që në fund përfundojnë në xhepat e Ramës dhe personat e tjerë që kemi përmendur.
5. Në dijeninë tuaj, cili është statusi juridik i personave ne fjale ne kuadër të hetimeve që po zhvillohen?
Ne presim nga prokuroria që këta personazhe të merren në pyetje dhe të zbatohet ligji për ta. Ajo çka ne shpresojmë është që SPAK të zbardhi këtë skemë dhe të shkojë te koka e inceneratorëve që është Edi Rama. SPAK duhet të rrisë besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë.
6. Ndalemi në një zhvillim të fundit. Ish deputeti Halit Valteri ka depozituar sot një padi në SPAK ndaj presidentit Meta i cili deklaron se ka prova që sipas tij vërtetojnë se Meta gjatë kohës që ka qenë në pushtet ka përfituar para përmes korrupsionit të cilat më pas I ka përdorur për lobim, nisur dhe artikujt e shkruar nga gazetë austriake. Si e shikoni këtë padi?
Kjo është qesharake kanë gjetur një idiot aty për të çuar ca artikuj gazetash. Sa herë ngelet pa para ky person bën të tilla gjëra për të tërhequr vëmendjen. Zero interes për këto gjëra, ne kemi kaluar dy audite nga institucionet përkatëse. Kjo bëhet vetëm për të tërhequr vëmendjen nga çështja e inceneratorëve. Kjo nuk na komplekson por na motivon për të zbardhur të vërtetën deri në fund. Padia e Valterit është një skub për të tërhequr vëmendje dhe vetë personazhi është komik.



