Kryetari i PD Vlorë, Hysni Sharra, ka ironizuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në qytet, duke e quajtur një “estradë” për të mbuluar dështimet e qeverisë me projektin e ujit të pijshëm dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.
Sharra tha për MCN Informacion se përpjekjet e Ramës për të larguar barrikadat nga hapësirat publike nuk zgjidhin problemet reale të qytetit.
“Kjo është estrada e radhës që Rama zhvillon në Vlorë, sikur ky të ishte i vetmi qytet me probleme. Do të ishte mirë që çdo qytet të kishte një prani të tillë të qeverisë, por për punë të mira dhe të dobishme.
Gojët e liga thonë se Rama ka mbërritur që në orën 7 të mëngjesit dhe rrinte ulur te shkallët e bashkisë, por këtë do ta konfirmojmë me miqtë tanë. Në fakt, nuk dimë më si ta quajmë këtë njeri që endet vërdallë si fantazmë. Edhe vetë Rama e ka pranuar që nuk ka shkarkuar asnjë drejtor, ndërsa këta të fundit kanë deklaruar se nuk kanë dhënë dorëheqjen – dhe me të drejtë, sepse ata nuk janë arsyeja e dështimit të menaxhimit të situatës.
Ky spektakël bëhet vetëm për të fshehur dy dështimet e mëdha të Ramës në Vlorë: projektin e ujit të pijshëm dhe trajtimin e mbetjeve urbane. Para pak ditësh ai u mor me një deputet britanik, dhe me sa duket pasi i eci ajo, tani ka filluar me lirimin e hapësirave publike.
Sigurisht që ky i fundit është një problem që kërkon zgjidhje, por shumë më thelbësore janë çështjet e mbetjeve dhe furnizimit me ujë, për të cilat ai duhet të japë llogari dhe të gjejë zgjidhje reale.”



