Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, ka analizuar protestën për Zvërnecin kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një shprehje të qartë pakënaqësie shoqërore, por jo domosdoshmërisht një lëvizje të strukturuar politike me objektiva të qarta për ndryshim pushteti.
Sipas tij, protesta nuk duhet lexuar si një thirrje e drejtpërdrejtë për dorëheqje apo zgjedhje të parakohshme, por si një mesazh që kërkon reflektim më të thellë mbi shkaqet e pakënaqësisë qytetare.
Për mua, problemi real i Edi Ramës nuk është çfarë kërkohet në sipërfaqe nga kjo protestë, por çfarë mësimi duhet të nxjerrë ai prej saj. Nuk besoj se zgjidhja është dorëheqja apo zgjedhjet e parakohshme, sepse kjo situatë nuk sjell ndryshime rrënjësore në vetvete. Ajo që duhet kuptuar është pse ndodhi kjo protestë, ku qëndrojnë realisht problemet dhe çfarë duhet të ndryshojë në mënyrë të thellë në qeverisje.
Unë nuk shoh një artikulim të qartë kërkesash që të çojnë në një skenar politik të strukturuar. Në mungesë të tyre, nuk mund të thuhet qartë se çfarë duhet të bëjë Rama në mënyrë konkrete, përveç reflektimit mbi situatën. Edhe kërkesa për dorëheqje, në këtë kontekst, nuk më duket një opsion real apo i mundshëm politik.
Por kur protesta nuk ka artikulime të qarta që përkthehen në kërkesa konkrete, atëherë krijohet një situatë e paqartë politike, ku edhe reagimi i qeverisë nuk mund të jetë i drejtpërdrejtë.
Duhet kuptuar se kjo protestë, siç është sot, është një shprehje e një pakënaqësie të gjerë qytetare që shkon përtej një çështjeje të vetme. Ajo lidhet me probleme të drejtësisë, ekonomisë, pronës dhe qeverisjes në tërësi. Prandaj kërkon një lexim më të thellë politik dhe jo një interpretim të thjeshtë.
Protesta duhet lexuar si një sinjal i qartë i zemëratës qytetare. Nëse ajo nuk kanalizohet në një projekt politik të strukturuar, rrezikon të mbetet vetëm një shprehje e pakënaqësisë pa efekt transformues real në sistem. Te gjithë aktorët e kanë keqlexuar protestën dhe ne se kemi kuptuar s’kemi qenë transmetues të saktë të problemeve dhe nivelit të acarimit.
Ka arsye Greqia të gëzohet për një investim të madh në jug të Shqipërisë do thoja jo. Shqipëria ka pasur rritje ekonomike konstante në vite pavarësisht problemeve të brendshme. Ka një rol më të madh të turizmit krahasuar me 7-8 vite të para, por është një konkurrencë. Personalisht jam pro investimit në përputhje me ligjin për pronat.



