Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur sot keqardhjen për vendimin e Këshillit Europian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha tha se Këshilli Europian nuk kishte se si të merrte një vendim më të mirë se ai që vendosi Bundestagu për hapjen e negociatave me kushte.
Sipas Bashës, Bashkimi Evropian nuk mashtrohet dot me propagandë dhe se raportet e zbukuruara të Komisionit Evropian siç i vlerësoi ai, verifikohen veçanërisht nga Bundestagu gjerman.
“Dua ta nis me shprehjen e keqardhjes time për ditën e sotme, nuk është ajo që kemi dëshiruar dhe shpresuar, por do të ishte një gënjeshtër e madhe po t’i thoshim shqiptarëve që nuk e prisnim. Vetëm dy javë nga vendosja e kushteve të Bundestagut, ishte e qartë që Këshilli Europian nuk do të mund të merrte një vendim më pozitiv se ai, por mund të merrte një vendim më negativ se ai.
Ju e dini fare mirë se PD ka punuar fort për të bindur miqtë tanë të CDU në Bundestag që ta transformonin jo-në e tyre në kushte. Edhe një herë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për kancelaren Angela Merkel, për faktin që arritën të siguronin një maxhorancë shumë më të vogël nga çfarë do ta dëshironim ne. Le ta themi pra qartë, shpresonim të kishim një rezultat ndryshe sot, por nuk mund të kishim një rezultat më të mirë se çfarë vendosi Bundestagu.
Në fjalën e tij Basha tha se ndjen keqardhje për vendimin e marrë sot, duke bërë përgjegjegjës qeverinë që ka bërë hapa pas gjatë viteve dhe Shqipërisë i janë shtuar kushtet.
“Dokumenti gjerman është udhërrëfyesi për hapjen e negociatave. Ne donim një rezultat ndryshe sot, por nuk prisnim më mirë sesa vendimi i Bundestagut për të marrë një Po pa kushte, siç mund të kishte marrë Maqedonia. Kushtet ishin 5, u bënë 7, u bënë 9, sepse Shqipëria po bën hapa prapa. Dy kushtet e reja të Bundestagut kanë të bëjnë me procedimin penal të personave për blerjen e votave dhe zgjedhje sipas një kodi të miratuar me konsensusin e forcave politike. Shkaku është se kryeministri aktual vuri fatin e tij, të kriminelëve dhe oligarkëve të tij mbi fatin europian të Shqipërisë”.



