Analisti Agim Baçi tha në MCN Live se as mund të mendohet që mund të ketë një foltore të dytë në PD, pasi ky është një format që mund ta mbajë vetëm Berisha. Sipas analistit Berishën s’e shqetëson nisma për foltoren, por mund të shqetësojë drejtuesit e tjerë politikë brenda PD-së. Baçi tha se Berisha s’mund ta anashkalojë votën e qytetarëve, ku Alimehmeti dhe Tabaku kanë qenë ndër më të votuarit brenda opozitës.
“Foltorja është format që mund ta mbajë vetëm Berisha, sepse e njeh PD-në nga fillimi deri në fund dhe në PD ka berishizëm. As nuk mund të mendohet që mund të ketë një foltore të dytë. Mund të ishte normale që z.Salianji, ka moralin të ngrejë ca pika që krerët e qarqeve s’po i ngrenë dot, po sillen sikur kanë fituar dhe askush s’po thotë të vërtetat. Pse është e rëndësishme që PD t’i rikthehet debatit, që mund të jetë një debat i thellë brenda vetes? Opozita duhet të kthehet në një instrument i qytetarëve për të rivalizuar qeverinë. Kanë votuar 500 mijë për PD-në, 200 mijë për partitë e reja, 200 mijë kanë refuzuar të votojnë, që tregojnë se qytetarët s’janë dorëzuar te qeveria. Mungesa e një debate real, të vërtetë, larg pushtetit të një grupi që kërkon të mbijetojë, do ta bënte opozitën të vërtetë për njerëzit që presin një alternativë përballë qeverisë. Nëse ka zëra, aty ka edhe njerëz që po zhysin kokën si struci drejtuesit politikë, të qarqeve, sepse u druhen një sulmi frontal, që mund të ndodhë si në kohën e foltores.
Berishën s’e ka shqetësuar lëvizja për foltoren, këta të tjerët po, sepse asnjë s’është më i sigurt. Berisha e lexon votën dhe s’mund të anashkalojë as Alimehmetin as znj.Tabaku, dhe do ketë një lloj përshtatje. Problemi është a do dijë opozita të bëjë pyetjet e veta për vetveten dhe më pas për qytetarët. Unë e shikoj të pamundur fraksionit, as nuk e kemi kulturën e fraksionit. Salianji pati një tërheqje, ndoshta u tregua i zgjuar, sepse fushata e tij do nxirrte blof ata që kanë drejtuar qarqet. Se cilin do rrëzonte? Kryetarët e qarqeve? Berishën? Nëse Salianji do bëjë një lëvizje do të marrë miratimin e Berishës”.



