
Mjeku Erion Dasho, eksperti i shëndetit publik, erdhi sot me një rrëfim ndryshe përtej mantelit të bardhë, për jetën e tij personale dhe profesionale përmes skype në programin e mëngjesit në “Zgjohu me MCN”.
Mjeku që na qetësonte me këshillat gjatë pandemisë, thotë se teksa u rrit në një familje intelektuale, me një gjyshe që kishte studiuar për Mami në Itali, u brumos nga ideja që në familje duhet të jetë një mantelbardhë.
Kam lindur në Berat në lagjen Çelepia, në një familje intelektuale me dy gjyshërit që kishin studiuar në vitet ‘40 në Itali.
Gjyshja kishte studiuar për Mami dhe është kthyer si ndër mamitë e para në Shqipëri, fillimisht në ‘Maternitetin Gjeraldinë’, pastaj ka ardhur ne Berat, ku ka qenë e vetmja që ka pritu lindjet e fëmijëve, për të krijuar më vonë maternitetin në Berat.
Lidhja ime ka qenë shumë e fortë me gjyshërit, gjyshi im kishte studiuar për llogaritar në Itali. Im atë u bë mësues, unë në fillim nuk e kisha shumë pasion mjekësinë, por kisha njëfarë detyrimi moral që dikush në familje do të trashëgonte bluzën e bardhë.
Unë zgjodha shëndetin publik si specialist i shëndetit publik, jo vetëm për tu shërbyer njerëzve, por për tu kujdesur për të gjithë shëndetin e popullatës, një zgjedhje që u krijon mundësi mjekut të kontribuoj dhe jo vetëm tu shërbej atyre pro të ndikoj në përmirësimin e shëndetit tërë shoqërisë si humanizëm.
Jam larguar dy herë jashtë vendit, një herë në Izrael për specializim për shëndetin publik dhe ne 2008 në Gjermani për një vit studimi pasuniversitar për shëndetin elektronik dhe telemjekësi, për tu larguar përfundimisht në vitin 2014.
Unë nuk kam pasur një karrierë me maja të jashtëzakonshme, por besoj se ecuria ime ka qenë konstante gjatë tërë kohës.



