
Forcat e armatosura ruse filluan tërheqjen nga Çernobili pas më shumë se një muaji. Raportohet se shumë ushtarë janë kontaminuar nga rrezatimi.
Situata është "katastrofike", denoncoi qeveria ukrainase, e cila ka nisur një apel në OKB për "çmilitarizimin" e zonës së uzinës, e cila ishte skena e aksidentit më të rëndë bërthamor në histori.
Në fillim të ditës, rusët marshuan në dy kolona drejt Bjellorusisë, duke lënë vetëm një kontigjent të vogël në zonën e termocentralit në veri të vendit, njoftoi kompania shtetërore Energoatom. Çernobili, pavarësisht se u mbyll nga fatkeqësia e vitit 1986, u pushtua nga rusët më 24 shkurt, ditën e parë të pushtimit. Me synimin, sipas disa analistëve, për të kontrolluar rrugën më të shpejtë për në Kiev, duke filluar nga kufiri bjellorus.
Menaxhimi i zonës nga rusët rezultoi shumë problematik, me ndërprerje të vazhdueshme në energjinë elektrike, të nevojshme për aktivizimin e sistemeve të ftohjes së sistemit të ruajtjes së karburantit bërthamor të harxhuar, si dhe rrezikun e rrjedhjeve radioaktive. Ndërkohë, zjarret e shumta në këtë sezon e kanë bërë zonën edhe më toksike. Dhe pasojat, për shëndetin e ushtarëve ruse duket se e kanë bërë të domosdoshme tërheqjen.
Disa burime nga agjencia që mbikëqyr zonën e përjashtimit kanë raportuar se trupat e vendosura në Çernobil po trajtohen për sëmundjen nga rrezatimi në Bjellorusi. Këtë javë, sipas mediave të Minskut, të paktën shtatë autobusë të ngarkuar me ushtarë mbërritën në një qendër të specializuar në Gomel.



