Duke nisur nga mëngjesi i sotëm, hyrja në kryeqytet nga sheshi “Shqiponja” do të devijohet. Kjo për shkak të ndërtimit të Unazës së Re.
Sipas kreut të ARRSH-së, Ergys Verdho, mjetet që vijnë nga Jugu do të përdorin rrugën Elbasan-Tiranë, ndërsa ata që vijnë nga Kavaja duhet të përdorin rrugën e Ndroqit.
Për ata që udhëtojnë nga Durrësi drejt qendrës, lëvizja do të bëhet nëpër rrugën “Teodor Keko” e më pas drejt “Abedin Hoxhës”, që njihet ndryshe si ish-Fusha e Aviacionit, e cila do të shndërrohet me një sens kalimi me qëllim për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve që vijnë nga qyteti bregdetar. Nga aty, kalimi do të bëhet përmes rrugës “Dritan Hoxha”.
Ndërsa për qytetarët që vijnë nga Jugu rekomandohet përdorimi i rrugës nga Rrogozhina drejt Peqinit për t’u futur në Tiranë përmes Rrugës së Elbasanit.
Mjetet që vijnë në Tiranë nga Veriu duhet të kalojnë nga Paskuqani ose shinat e trenit, për të hyrë fillimisht në “Don Bosko” dhe më pas në qendër.
Sipas kreut të ARRSH-së, ky plan menaxhimi do të zgjasë së paku për tre a katër muaj, kohë e mjaftueshme për kryerjen e punimeve.



