
Europianët po shijojnë rikthimin në jetën normale, me disa kufizime të vogla pas daljes nga karantina, por për OBSH-në, nuk është koha për të festuar, por duhet të përgatitemi për një situatë akoma më të rëndë. Dr. Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Europën, thotë se vala e dytë e pandemisë do të jetë akoma më vdekjeprurëse.
Koronavirusi ka prekur deri tani më shumë se 4.7 milion njerëz në të gjithë botën dhe u ka marrë jetën rreth 320 000 të tjerëve.
Pavarësisht se numrat janë ulur, për Kluge, epidemia thjesht është zhvendosur në Rusi, Ukraine, Bjellorusi dhe Kazakistan.
Ai sheh si modelet më të mira të menaxhimit të pandemisë Singaporin, Japoninë dhe vendet skandinave. “Ato nuk e përjashtojnë një valë të dytë, por shpresojnë se se epidemia do të lokalizohet dhe mund ta kalojnë më shpejt”.
Një shqetësim tjetër i drejtorit të OBSH-së për Europën është se një valë e dytë e koronavirusit mund t’i mbivendoset riaktivizimit të sëmundjeve të tjera të transmetueshme.
“Jam shumë i shetësuar për valën e dytë. Në vjeshtë mund të kemi një valë të dytë të Covid-it dhe një tjetër sezon gripi apo fruthi”, është shprehur ai për britaniken “Telegraph”.
Këtij mendimi i bashkohet edhe Chris Witty, epidemiolog britanik, drejtues i një institucioni shëndetësor dhe këshilltar i qeverisë në Londër. Ai sjell shembullin e gripir spanjoll të 1918, i cili nisi në mars, por u rikthye më i fuqishëm në vjeshtë, duke u marrë jetën mbi 50 milionë njerëzve.
“Nga historia dimë se pandemitë rikthehen dhe godasin vendet që shpëtuan herën e parë por edhe të tjerat në një valë të dytë. Pritet ta shohim këtë në Afrikë dhe në Europën Lindore”, thotë ai.
Pa një vaksinë apo një ilaç specifik për të trajtuar koronavirusin, lehtësimi i masave duhet bërë hap pas hapi, paralelisht me testimet dhe gjurmimin e kontakteve. Dhe të gjitha këto, duke ruajtur distancën sociale.
“Disa vende po thonë që “nuk jemi Italia” dhe pastaj, dy javë më vonë mund ta shohin veten të goditur nga një valë e dytë. Kështu që duhet të jemi shumë shumë të kujdesshëm”, përfundon Kluge. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



