
Transmetuesi ITV ka publikuar katër fotografi që tregojnë kryeministrin Boris Johnson duke ngritur dolli me një gotë në dorë dhe tetë njerëz rreth tij gjatë një feste të mbajtur në Downing Street më 13 nëntor 2020, ndërsa në Britani ishte në fuqi karantina për të kufizuar qarkullimin e Covid.
Pamjet dalin në një kohë kur në lidhje me skandalin Partygate pritet prej ditësh raporti i plotë i pavarur i përgatitur nga zyrtarja e lartë Sue Grey pas mbylljes së hetimeve policore dhe gjobave të shumta të vendosura nga Scotland Yard, përfshirë edhe atë ndaj kryeministrit.
Ngjarja në fjalë, sipas ITV, është festa e lamtumirës për drejtorin e komunikimeve të qeverisë, ish-gazetarin Lee Cain, i cili në atë kohë dha dorëheqjen. Kur të publikohet raporti Grey, kryeministri Johnson do të raportojë në Parlament. Megjithatë, ai është pyetur në dhjetorin e kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve, ku është përgjigjur se: "Çfarëdo që ndodhi, rregullat u respektuan".



