
Kreu i Rithemelimit Sali Berisha, nga dritarja e shtëpisë së tij ku ndodhet në “arrest shtëpie”, tha para mbështetësve mbrëmjen e së hënës, se përjashtimi i 19 deputetëve nga Kuvendi ishte provokim i rëndë.
Sipas tij, “parlamenti Rama-Linda, parlamenti i turpit që nuk ka ekzistuar kurrë që nga koha e diktaturës”, përjashtoi në një akt turpi, në një akt të mirëfilltë diktatorial, në një akt të vërtetë frike, 19 deputetë, përfaqësues të popullit opozitarvetëm e vetëm se ata po qëndrojnë në emër të të vërtetës.
Po qëndrojnë në një betejë me të cilën duan të sjellin para jush në dritën e diellit, të gjitha krimet e shëmtuara, vjedhjet monstruoze të Edi Ramës.
Po qëndrojnë në mbrojtje të të drejtave të tyre kushtetuese, që janë edhe të drejtat tuaja.
Sot, Linda e parlamentit, një turp i gatshëm për të shkatërruar Shqipërinë për Edi Ramën, zbatoi urdhrin e padronit të saj Edi Rama dhe përjashtoi njësoj si të ishte Bjellorusia e Lukashenkos, edhe aty nuk ndodh kjo, 19 deputetë, përfaqësues të popullit opozitar.
Ky është një akt, një provokacion i rëndë për çdo qytetar që i beson pluralizmit.
Në vijim Berisha tha atyre që rëndom në mënyrë të neveritshme shtrojnë pyetjet se përse po bëjnë këtë në parlament, tha se një deputet në SHBA mund të bllokojë pa u përjashtuar ditë të tëra parlamentin.
Ajo që po bëjnë deputetët në parlament është kjo që po bëni ju këtu, po mbroni të vërtetat, po shprehni të vërtetat.



