
Kandidatja, që kryeson listën e Partisë Socialiste në Tiranë, Luljeta Bozo, disa ditë më parë tha se diktatori Enver Hoxha, i ka dhënë më shumë të mira se të këqija kombit shqiptar, deklaratë kjo e cila nxiti reagime zyrtare nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë dhe Federata Vatra.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë në një postim që ka bërë në faqen zyrtare, shkruan se janë të tronditur nga deklarata e saj, sakaq bën me dije se i ka dërguar një shkresë 60 euro-deputetëve, duke u shprehur të revoltuar sesi një kandidate për deputete relativizon periudhën e monizmit.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë, së bashku me Qëndresa Qytetare dhe Pan Albanian Federation of America Vatra (the Hearth) DC Chapter të tronditur nga relativizmi i komunizmit nga znj. Bozo, iu drejtuan dje me shkresë mbi 60 eurodeputetëve të European Parliament dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Europian, duke u bërë thirrje të shprehen në mënyrë kritike ndaj partive politike në Shqipëri, kandidatët e të cilave normalizojnë ndikimin shkatërrimtar dhe krimet e regjimit totalitar komunist në vend. Izolimi më barbar kulturor, shoqëror dhe njerëzor që i ka ndodhur Shtetit Shqiptar që nga krijimi i tij, promovimi si arritje i vjedhjes së pronës private duke shkaktuar kollapsin më të madh ekonomik, por dhe anashkalimi i shkatërrimit shpirtëror me zhdukjen e insitucioneve historike dhe atyre të kultit, nuk mund të kalojnë lehtë dhe të relativizohen.






