Gazetarja Ola Xama rrëfeu në emisionin “Stay Tuned” se pasja e një motre binjake në disa raste i krijonte përshtypjen sikur ajo vetë nuk kishte identitet, megjithëse dashuria e ndërsjellë që ato kanë është në nivele shumë të larta.
Duke treguar raportin me motrën e saj binjake Edën, Xama tha se ajo do bënte për të gjëra që askush tjetër nuk do i bënte në momente të vështira.
E ndalur dhe jeta e saj, pas lindjes së djalit, Xama tha se ajo ka vijuar punën dhe projektet e saj dhe se mëmësia nuk do të thotë që karriera duhet të mbesë pas.
Po e kritikoj shpesh veten. Njeriu është egoist e i pëlqen vetja, por ka momente kur mbyll sytë dhe them këtë nuk duhet të kisha bërë, ta kisha thënë. E kritikoj veten dhe për ato mangësi që kam. Idealizimi i tepruar, nuk jam oportuniste, çështje që më kanë prishur punë. Ndonjëherë duhet t’i thuash dhe derrit dajë, që të arrish në një nivel tjetër që të kesh mundësi të ndryshosh, por janë ca gjëra që nuk i bën dot. Kam dhe unë shpërthimet e mia. Jam shenja Dashi, çdo gjë e kam me pasion. Por kam edhe një të mirë, që di të kërkoj falje. Jam si gjithë njerëzit, gaboj, por di ta pranoj dhe nuk e bëj me qëllim.
Ndihem mirë kur motra ime binjake ndihet mirë, dhe kur çuni im i vogël qesh.
Për mua ka qenë në disa raste sikur nuk ke identitet. Se thonë gjithmonë ato të dyja, ose njëra nga ato, pa emër. Deri vonë na vishnin njëlloj. Dhe nisnim të ndryshonin stilin. Të ndryshme nga njëra tjetrën, doja të kisha identitet, të isha Ola dhe jo Ola; Eda kush je ti se ngjajmë shumë. Lidhja që ke dhe dashuria e ndërsjellë është në nivele shumë të larta. Marrëdhënia me binjaken është e fortë. Në momentin më të keq nëse askush s'do më ndijhmonte për gjënë më të vështirë unë e di që ajo do bënte për mua, dhe unë për atë. Nuk jemi ndërruar në shkollë. Një herë unë për një provim të Edës kam hyrë, u futa dhe e mora.
Nuk mendoj që jeta të ndryshon 100%. E kam marrë si lumturi, patjetër është dhe sfidë shumë e madh, janë netë pa gjumë, akoma pa gjumë jam. Duhet të bëjë 2 vjeç të flejë 24 orë. Është një lumturi që jam duke e shijuar, Është dimension tjetër, por s’do të thotë që do të mbesë karriera pas. Pasi linda djalin ishte reportere, bëja dhe investigime me projekte. Pas lindjes së tij nisa dhe një projekt të ri. Nëse bën fëmijën s’do të thotë që u ndale me aq. Njeriu mund t’i bëjë të gjithë. Mund të jetë shtysë sit ë ndryshosh. Bëj dhe punë shtëpia, kam dhe një grua që më ndihmon, por ka pasur periudha që nuk e kam pasur. Nuk më dalin orët e ditës. Më ndihmon dhe bashkëshorti.



