Shkencëtarët po synojnë të kuptojnë origjinën e banorëve të “Saharasë së gjelbër” dhe thonë se kanë arritur të rikuperojnë gjenomet e para të plota, informacion të detajuar gjenetik, nga mbetjet e dy grave të varrosura në Takarkori. “Ne filluam me këto dy (skelete) sepse ato janë shumë mirë të ruajtura, lëkura, ligamentet, indet”, tha Savino di Lernia, bashkautor i studimit të ri të botuar të mërkurën në revistën “Nature”.
Gjetjet shënojnë herën e parë që arkeologët kanë arritur të renditin gjenome të tëra nga mbetjet njerëzore të gjetura në një mjedis kaq të nxehtë dhe të thatë, tha di Lernia, një profesor i asociuar i arkeologjisë dhe etnoarkeologjisë afrikane në Universitetin Sapienza të Romës.
Analiza gjenomike i dha surpriza ekipit të studimit, duke zbuluar se banorët e Saharasë së gjelbër ishin një popullsi e panjohur më parë dhe e izoluar prej kohësh që me shumë gjasa e kishte banuar rajonin për dhjetëra mijëra vjet.
Gërmimi i strehës shkëmbore Takarkori, e arritshme vetëm me një automjet 4X4, filloi në vitin 2003, me dy mumiet gra midis gjetjeve të para. “Ne e gjetëm mumjen e parë në ditën e dytë të gërmimit,” kujtoi di Lernia.
Komuniteti i vogël që krijoi shtëpinë e tij në strehën shkëmbore ndoshta migroi atje me largimin e parë të madh të njerëzimit nga Afrika më shumë se 50,000 vjet më parë. Bashkautori i studimit, Harald Ringbauer, tha se ishte e pazakontë të hasje një prejardhje gjenetike kaq të izoluar, veçanërisht krahasuar me Evropën, ku kishte shumë më tepër përzierje. Ringbauer është një studiues dhe udhëheqës grupi i arkeogjenetikës në Institutin Max Planck për Antropologji Evolucionare në Leipzig, Gjermani, i cili ka qenë pionier në teknikat e marrjes së materialit gjenetik nga kockat dhe fosilet e vjetra.
Ky izolim gjenetik, arsyetuan autorët e studimit, sugjeroi që rajoni ka të ngjarë të mos ishte një korridor migrimi që lidhte Afrikën Sub-Sahariane me Afrikën Veriore, pavarësisht kushteve mikpritëse të Saharasë në atë kohë.
Analizat e kaluara të pikturave në shpella dhe mbetjeve të kafshëve të gjetura në sitet arkeologjike në të gjithë Saharanë kanë sugjeruar se banorët e saj ishin blegtorë që kullotnin dele, dhi ose bagëti, duke i shtyrë disa studiues të hipotetizojnë se barinjtë u përhapën nga Lindja e Afërt, ku nisi bujqësia.
Megjithatë, autorët e raportit të ri sugjeruan se një migrim i tillë ishte i pamundur, duke pasur parasysh izolimin gjenetik të grupit Takarkori. Në vend të kësaj, ekipi i studimit ngriti hipotezën se blegtoria u përvetësua nëpërmjet një procesi shkëmbimi kulturor, siç është ndërveprimi me grupe të tjera që tashmë rritnin kafshë shtëpiake.
“Tani e dimë se ata ishin të izoluar për sa i përket gjenetikës, por jo në aspektin kulturor. Ka shumë rrjete që njohim nga disa pjesë të kontinentit, sepse kemi qeramikë që vjen nga Afrika Sub-Sahariane. Kemi qeramikë që vjen nga Lugina e Nilit dhe të ngjashme”, tha di Lernia.
“Ata kishin këtë lloj prejardhjeje, e cila tregon një lloj trashëgimie të Pleistocenit, e cila duhet të eksplorohet”, tha ai, duke iu referuar periudhës kohore që përfundoi rreth 11,000 vjet më parë para Epokës së Holocenit.
Louise Humphrey, një udhëheqëse kërkimore në Qendrën për Kërkime mbi Evolucionin Njerëzor të Muzeut të Historisë Natyrore në Londër, tha se pajtohej me gjetjet e studimit: Populli Takarkori ishte kryesisht i izoluar gjenetikisht për mijëra vjet dhe se blegtoria në këtë rajon u krijua nëpërmjet përhapjes kulturore, në vend të zëvendësimit të një popullate me një tjetër.
“ADN-ja e nxjerrë nga dy gra blegtore që u varrosën në strehën shkëmbore rreth 7,000 vjet më parë zbulon se pjesa më e madhe e prejardhjes së tyre mund të gjurmohet në një linjë gjenetike të lashtë të Afrikës së Veriut, e panjohur më parë”, tha Humphrey.
“Hulumtimet e ardhshme që integrojnë provat arkeologjike dhe gjenomike ka të ngjarë të japin njohuri të mëtejshme mbi migrimet njerëzore dhe ndryshimet kulturore në këtë rajon”, tha Humphrey.



