Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se pas tërmetit të 26 nëntorit, do të ndiqet një politikë monetare stimuluese.
Përmes një konferencë për media, guvernatori lexoi ndër të tjera edhe deklaratën e sotme të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë për vendimarrjen në politikën monetare.
Sejko theksoi se kursi i këmbimit është i qëndrueshëm pas tërmetit të 26 nëntorit. Sipas tij ende nuk dihet ndikimi i plotë që ka bërë tërmeti në ekonomi, por deklaroi se ka një rënie të normës së papunësisë.
Guvernatori i Bankës shtoi se normat e rritjes ekonomike priten të jenë pozitive.
'Më lejoni ta filloj disi më ndryshe këtë komunikim, duke shprehur, në radhë të parë dhe në emër të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, keqardhjen më të thellë për të gjithë ata që humbën të afërmit dhe për ata që pësuan dëme fizike dhe materiale nga tërmeti i datës 26 nëntor.
Fatkeqësi kombëtare të këtyre përmasave kërkojnë kurajë, solidaritet dhe punë të përbashkët, për adresimin e pasojave dhe për rimëkëmbjen e plotë të bizneseve, familjeve dhe komuniteteve të prekura.
Sot, në mbledhjen e tij të datës 18 dhjetor 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të politikës monetare. Informacioni i disponueshëm nuk dikton nevojën për ndryshim të qëndrimit të politikës monetare.
Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe mbështetja e rritjes ekonomike e bëjnë të nevojshme ndjekjen e një politike monetare stimuluese.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se vlerësimi i plotë i pasojave ekonomike të tërmetit kërkon ende kohë. Ky vlerësim do ti hapë rrugë rishikimit të parashikimeve tona afatmesme dhe gjykimit mbi politikën monetare që do të ndjekim në të ardhmen.
Në planin makroekonomik, ecuria e çmimeve vijon të reflektojë presionet e ulëta inflacioniste që vijnë nga ekonomia e huaj edhe ajo vendase. Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është e ngadaltë, ndërsa përcjellja e saj në tregun vendas është frenuar dhe më tej nga forcimi i kursit të këmbimit gjatë vitit 2018.
Zgjerimi i aktivitetit ekonomik duket se është mbështetur nga rritja e konsumit dhe investimeve private dhe, në veçanti, nga zgjerimi i të ardhurave të turizmit. Ecuria e ekonomisë është pasqyruar dhe në të dhënat e tregut të punës për tremujorin e tretë, të cilat tregojnë rritjen me 3.3% të punësimit në terma vjetorë, rënien në 11.4% të normës së papunësisë dhe rritjen me 3.5% të pagës mesatare në ekonomi.
Ambienti i favorshëm financiar dhe përmirësimi i kërkesës dhe ofertës për kredi kanë diktuar një përmirësim të mëtejshëm të kreditimit. Në veçanti, konsolidimi i sektorit bankar dhe reduktimi i rrezikut të kreditit, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 9.5% e raportit të kredive me probleme në muajin nëntor, kanë diktuar një përqasje më aktive të bankave drejt kreditimit', ka deklaruar guvernatori Sejko.



