
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka kthyer ligjin ”Për Prokurimin Publik”, me argumentin se cenon konkurrencën e lirë, favorizon kompanitë e lidhura me pushtetin dhe shpërdorimin publik.
Kreu i shtetit i rekomandon Kuvendit të rishikojë ligjin duke pasur parasysh nevojën për përcaktimin e rregullave të qarta, transparente në procedura që lidhen pikërisht me prokurimin me fonde publike.
"Mangësitë e konstatuara në formulimin e disa dispozitave krijojnë hapësira që jo vetëm të shmangen procedurat e hapura për prokurimet publike, por edhe që dëmtojnë konkurrencën e lirë të operatorëve ekonomikë, mbrojtjen e interesave të tyre në një procedurë prokurimi gjatë ushtrimit të së drejtës së ankimit", thuhet ndër të tjera në shkresën e kreut të shtetit.
Sipas Metës, "dispozita të caktuara të këtij ligji bien në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, si dhe me nevojën për eficiencë në planifikimin e përdorimin e fondeve buxhetore përmes prokurimeve publike".
Ligji "Për prokurimin publik" u miratua nga Kuvendi me shumicë votash në seancën e datës 23 dhjetor 2020.



