Analisti Aleksandër Çipa tha në MCN Live që Durrësi është një qark me risk të lartë të inkriminimit të procesit zgjedhor. Sipas analistit, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021, në këto zgjedhje grupet kriminale s’do aktivizohen dy javëshin e fundit, por e kanë nisur më herët punën dhe ndarjen e zonave të influencës.
“Ndryshe nga 2021-shi kjo është një fushatë që për shkak të sistemit ofron disa modele që kanë qenë të munguara, modeli i parë është kjo që po marr rastin e kandidatit Kalaja, që karakterizohet nga një fushatë pozitiviste, që adreson problematika që janë të mbartura në kalendat e burokracisë vendore.
E dyta nuk ofron një konfliktualitet verbal apo politik në marrëdhënie me kundërshtarët dhe rivalët. Distancohet përmes parimit ose logjikës së mos afrimit me korrupsionin zgjedhor, që e evidenton te kundërshtarët, marrëdhënien me inkriminimin zgjedhor. Ne e dimë që Durrësi është një qark i stigmatizuar si vend me risk të lartë të inkriminimit të procesit zgjedhor.
E para sepse ekzistojnë grupe kriminale, grupet e interesit të lidhura me grupet kriminale janë më të fuqishme. Ka edhe një specifikë tjetër, ndryshe voton qyteti, ndryshe periferia, ndryshe Kruja, ndryshe Fushë-Kruja. Rasti i Aulon Kalasë sjell edhe profilin intelektual edhe pastërtinë e përfaqësimit”.
Ai u shpreh ndër të tjera se përfshirja e disa gazetarëve në politikë si kandidatë për deputet, jep shpresë.
“Përfshirja e gazetarëve në politikë jep shpresë. Do t’u bëja thirrje qytetarëve që këto figura, majtas-djathtas, kudo të jenë, t’i votojnë, e para sepse sjellin një ligjërim publik të cilësishëm mbartin kurajon dhe aftësinë e artikulimit publik, që janë të munguara edhe në skenën politike. E treta janë njerëz që kanë ndërtuar karrierën duke qenë në komunikim ditor me qytetarët. E bëj në mënyrë më të sinqertë apelin mbështetjen për gazetarët që kërkojnë mandatin e deputetit”.



