
Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV ceremoninë e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Milo tha se nuk është hera e parë që mungon opozita, pasi ndasia është bërë tanimë një traditë e keqe në politikën shqiptare, edhe kur bëhet fjalë për gjëra themelore kombëtare. Milo tha se një nga shqetësimet kryesore të politikës shqiptare është që mesazhet jepen nisur nga përllogaritjet politiko-elektorale.
Nuk ndodh për herë të parë, fakti që opozita dhe mazhoranca kanë bërë aktivitete ceremonial veç e veç. Është bërë një traditë e keqe në politikën shqiptare, ndasia edhe në gjëra themelore, kombëtare, që duhet ta bashkojë politikën. Ky është realiteti. Përsëri do ndodhemi përballë situatave të tilla sepse politika shqiptare është e ndarë edhe për gjëra më të vogla e jo më për probleme të mëdha që japin mesazhe për shqiptarët.
S’duhet të habitemi që dje gjatë mbledhjes së dy Kuvendeve pamë shfaqje të ndasive, apo sot që e pamë një gjë të tillë. Është për të ardhur keq që politika shqiptare kujtohet që ka një detyrë të rëndësishme kombëtare kur vijnë festat. Synohet të jepen mesazhe nisur nga përllogaritjet politike-elektorale. Ky është shqetësimi kryesor i politikës shqiptare në dy anët tona. Për të mos përmendur kufij, sepse është simbolikë e kohës”.
Lidhur me “Open Balkan”, Milo tha se dje në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve nuk ishte rasti për të trajtuar këtë çështje, pasi duhet të përcillen mesazhe pozitive në popull.
Dje nuk ishte rasti për të trajtuar çështjen e ‘Open Balkan’. Ishte rast ceremonial, përkujtimor, dhe në raste të tilla nuk diskutohen probleme themelore të bashkëpunimit apo qasjes që kanë dy vendet ndaj qasjeve të ndryshme. Edhe ndonjë deputet që tentoi ta përdorte për kapital politik nuk ishte ndonjë gjë e zgjuar. Tradita është që të shmangen kontradikta që t’i jepet popullit një mesazh pozitiv. Ka vende të tjera ku mund të diskutohet për ‘Open Balkan’ ”.
Lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, Milo tha:
Ka vite, madje që para shpalljes së pavarësisë, që kur filluan institucionet e para të Kosovës, që ka filluar një ftohje e marrëdhënieve Prishtinë-Tiranë, që në fillimet e saj ka ardhur si shenjë pavarësie, që të mos të quhen të varur nga Tirana, por që tani duke qenë që janë dy shtete të pavarura kanë të drejtë të caktojnë vijën në lidhje me marrëdhëniet me jashtë. Kosova ka të drejtë të përcaktojë marrëdhëniet me Serbinë, po e po...
Shqipëria e ka për detyrë të mbështesë Kosovën në politikën e jashtme dhe objektivat e saj strategjik, sikundër në objektivat me karakter rajonal si dhe dialogun që shpresojmë të jetë konstruktiv për të arritur njohjen e ndërsjellë të Kosovës me Serbinë dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike. Kosova duhet të kapërcejë fazat që parashikojnë procedurat, një kalendar i ngjeshur që s’është i lehtë.
Milo vë në dukje se para bashkëpunimit rajonal apo me partnerët ndërkombëtarë, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.
Nuk duhet të harrojmë që integrimi i Kosovës në NATO dhe BE përcaktohet shumë nga konjukturat ndërkombëtare, që jo gjithnjë kanë qenë dhe janë në favor të vendeve tona. Para se të mendojmë bashkëpunojmë në rajon, apo me BE-në dhe SHBA-të, Shqipëria dhe Kosova duhet të mendojnë të bashkëpunojnë sa më tepër në mënyrë efektive, jo për fasadë. Të hiqet dorë nga demagogjia mes dy vendet tona, pa përllogaritjet elektorale të ditës ”



