
Parlamenti Europian i hap dritën jeshile marrëveshjes së “divorcit” të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Shkëputja e Britanisë nga Blloku është miratuar me 621 vota pro, 49 vota kundër dhe 13 abstenime. Pas votimit, eurodeputetët kënduan një këngë tradicionale skoceze 'Auld Lang Syne', e njohur si valsi i qirinjve.
"Të dashur miq britanikë, lamtumira është një fjalë shumë definitive, e cila është arsyeja pse së bashku me të gjithë kolegët e mi, unë them vetëm mirupafshim. Dhe unë dua t'ju përshëndes me fjalët që tha Jo Cox, eurodeputetja britanike e vrarë gjatë një fushate zgjedhore: Ne kemi më shumë të përbashkëta sesa dallime", tha presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, i cili më pas firmosi letrën që i kalon Këshillit miratimin e Parlamentit Evropian për përmbylljen e marrëveshjes së “divorcit”, të Britanisë së Madhe nga BE-ja.
"Me të vërtetë jam i prekur nga ky debat, i cili nganjëherë ishte emocionues dhe kishte tone serioze", tha shefi i BE-së për negociatat Brexit, Michel Barnier. "Ne jemi të pikëlluar nga rezultati i referendumit, por e respektojmë", shtoi ai duke kujtuar detyrën e komisionit që "ishte të organizonte këtë tërheqje dhe një tërheqje të rregullt".
Barnier premtoi se në të ardhmen do të vazhdohet me "të njëjtën frymë pa agresion por duke mbrojtur interesat e Unionit dhe duke ndjekur parimet e rikujtuara nga Presidentja von der Leyen". Negociatori i BE-së tha se "secili mund të jetë atdhetar i vendit të vet, por edhe evropian" dhe i uriu më të mirë Britanisë së Madhe.



