
Në 9-vjetorin e vrasjes nga policia të adoleshentit Aleksandros Grigoropulos, Athina është përfshirë nga protesta të dhunshme midis anarkistëve dhe forcave të policisë.
Incidentet filluan kur një pjesë e protestuesve mbërritën në vendin ku më 6 dhjetor 2008 u vra Grigoropulos.
Anarkistët hodhën bomba molotov, fishekzjarre dhe gurë kundër forcave të policisë. Ata u vunë zjarrin kazanëve të mbeturinave dhe ngritën barrikada në disa prej rrugëve të zonës Eksarhia.
Me gjithë kunërpërgjigjen e policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese, situata doli jashtë kontrollit dhe gjithçka i ngjante një pamje lufte.
Këto protesta vijnë një ditë para vizitës historike të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, ku mbi 2 mijë forca policie janë në gadishmëri maksimale për sigurinë e tij.



