Kjo e shtunë do të sjellë mot relativisht të paqëndrueshëm në vend, me alternime mes kthjellimeve dhe vranësirave.
Sipas parashikimeve meteorologjike, dita do të nisë me mot të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites pritet shtim i vranësirave, të cilat do të favorizojnë zhvillimin e reshjeve lokale.
Shiu do të përqendrohet kryesisht në zonat malore të lindjes dhe juglindjes, ku priten shtrëngata afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Në disa zona nuk përjashtohet mundësia e rënies së breshërit.
Pasditja e vonë dhe mbrëmja pritet të sjellin përmirësim gradual të kushteve atmosferike, me kthjellime që do të dominojnë në pjesën më të madhe të vendit.
Temperaturat minimale do të luhaten deri në 17°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë në 34°C, duke mbetur në vlera tipike për stinën e verës.
Era do të fryjë kryesisht nga verilindja në veriperëndim me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa në zonat bregdetare dhe luginore priten herë pas here forcime të saj deri në 12 m/s.



