Avokati Arben Llangozi që përfaqëson interesat e banorëve të Lumasit, foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi arsyet e padisë ndaj kryebashkiakut të bashkisë Kuçovë Kreshnik Hajdari. Llangozi thekson se kryebashkiaku dhe kompania “Salillari” janë në shkelje të ligjit, pasi po bëjnë punime në zonë të mbrojtur, në burimin e Senecit, për një ujësjellës që tashmë i ka kaluar leja 24-mujore. Llangozi thotë se Prokuroria Berat nuk po zbaton vendimin e SPAK për të vënë para përgjegjësisë autorët. Po ashtu ai thotë se Policia e Shtetit është përdorur si polici private, ka dhunuar banorët, dhe akuzon disa efektivë se kanë qenë të punësuar më parë te “Salillari shpk”.
Referuar Kodit të Procedurës Penale, neni 281, kemi detyrimin ligjor të bëjmë kallëzim në momentin që vihemi në dijeni për një vepër penale. Është bërë me konsensus nga të gjithë banorët. Ky kryebashkiak përmes ndikimeve në Policinë e Shtetit ka ushtruar dhunë kundrejt banorëve. Kjo është kundërpërgjigje e banorëve kundrejt këtij kryebashkiaku. Të gjithë kërkesat drejtuar policisë për mbështetje i janë drejtuar nga Kreshnik Hajdari. Ky kryebashkiak i shkel ligjet me dyja këmbët, sepse nuk mund të marrë vendime duke bërë një ujësjellës, kur më parë s’ka pyetur komunitetin. Këtë projekt e ka bërë për interesa korruptive të kompanisë ‘Salillari’. Çështja aktualisht ndodhet nën hetim. Nga një hetim rreth 1 vit e 2-3 muaj, SPAK ka arritur në konkluzionin që zona e mbrojtur është cenuar nga dy kompanitë, dhe i ka lënë detyrë Prokurorisë së Beratit që t’i verë para përgjegjësisë autorët e kryerjes së kësaj vepre penale, kryetarin e bashkisë dhe dy subjektet ndërtuese. Por nga Prokuroria Berat s’janë ndërmarrë masa për zbatimin e këtij vendimi të marrë SPAK. Kanë kaluar afatet e lejeve, por projekti është i papërfunduar, është 50 për qind e punës e papërfunduar. Leja ishte me afat 24 muaj, dhe ka kaluar çdo afat, dhe janë punimet pa leje. Aktualisht s’është se janë duke punuar, por pretendohet se do punohet në vijim. Leja nuk mund të rinovohet. Ka kaluar çdo lloj afati ligjor. Është një projekt i dështuar dhe s’mund të përfundojë, sepse është komuniteti që s’mund të lejojë që të shkatërrohet zona e mbrojtur.
Nëse i referohemi ligjit të posaçëm për zonat e mbrojtura. Në këtë ligj përcaktohet qartë, që një monument natyre s’mund të hiqet, por vetëm mund të shtohen dhe të përditësohen. Në vitin 2019 është përditësuar lista dhe janë shtuar të tjera monumente natyre, por jo të jetë hequr nga zona e mbrojtur ky kanion. Ata e kanë vendosur që do protestojnë në çdo hap për mbrojtjen e të drejtave të tyre të ligjshme. Me ndikimin e kompanisë dhe kryetarit të bashkisë, policia menaxhohet në mënyrën më kriminale, sikur të jetë polici private dhe jo polici shteti. Është e tmerrshme të mendosh që policia mbështet punime të paligjshme. Punonjës policie kanë qenë të punësuar më parë edhe te subjekti “Salillari shpk” “.



