Kancelari gjerman Olaf Scholz, thotë se Europa është gati që t’i përgjigjet me sanksione Rusisë, në rast të një pushtimi të mundshëm ndaj Ukrainës.
“Europa është e gatshme të vendosë sanksione ndaj Rusisë nëse pushton Ukrainën, por ndërkohë po bëhen përpjekje për një zgjidhje diplomatike”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në një konferencë shtypi këtë të premte.
Ai e cilësoi situatën si shumë kritike, duke shtuar se në kufi me Ukrainën ka një përqendrim të madh të forcave ushtarake.
“Ne jemi të përgatitur, do të ketë pasoja dhe do të veprojmë së bashku me sanksione, si BE, SHBA dhe NATO. Por ne po punojmë me të gjitha mjetet në dispozicion, për të shmangur diçka të tillë”, u shpreh Scholz.
Ai vuri në dukje gjithsesi, se në kërkesat e Rusisë nga SHBA -ja dhe NATO-ja ka një rrugë për diplomaci dhe dialog.



