Një provokim e konsideroi Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, arrestimin e 5 serbëve në Kosovë, nën akuzat për krime lufte. Po ashtu Vuçiç tha se është “patetike heshtja e ndërkombëtarëve” mbi rastin në fjalë. Reagimi i tij erdhi pasi Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ka arrestuar 5 serbë të cilat dyshohen për krime lufte. Dyshohet se në prill të vitit 1999 në disa fshatra të Komunës së Gjilanit vranë, plagosën, dogjën, rrëmbyen, dhunuan e torturuan civilët shqiptarë.
“Po përpiqen të provokojnë çdo shtëpi serbe, që çdo shtëpi serbe ta di se nuk guxon të jetë aty, në territorin e Kosovës. Është heshtje e mjerueshme e ndërkombëtarëve dhe botës perëndimore, e cila pretendon se nuk po e sheh çfarë po ndodh”, tha Vuçiç në konferencën për mediat.
“Le t'i pyesim nëse ende duan të shtiren si të painteresuar dhe të pakualifikuar. Do t'ju kujtoj, kur një autobus ndalon në Serbi në pikën kufitare me Kroacinë, dhe në të ka shqiptarë të Kosovës - e gjithë Evropa bën dhe shkruan tekste - edhe pse askush nuk i ka prekur, as arrestuar”, shtoi ai.



