Ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksani për zbulimin e luleshtrydheve të importit me pesticide ngre shqetësimin lidhur me transparencën e sasive që janë konsumuar nga qytetarët shqiptar.
Në një intervistë për MCN TV, ajo deklaroi se pesticidet janë shumë të rrezikshme dhe se nëse salmonelën e eliminojmë me temperaturë të caktuar dhe higjiene personale, pesticidit nuk ka se çfarë i bëhet po hyri në organizëm.
Sipas saj, mungesa e transparencës po ekspozon konsumatorin ndaj risqeve të mëdha që nga mbetjet e pesticideve e deri te patogjenë të ndryshëm.
Pesticidi shkakton që nga deformimi i fetusit e deri te sëmundjet kancerogjene. Ajo që i bën më të rrezikshme është se ne nuk kemi simptoma të menjëhershme, por është një risk afatgjatë.
Ky është skandal, por skandali zë skandalin. Kemi 2-3 ditë që po flasim për salmonelën dhe tani plasi luleshtrydhja.
Mungesa e transparencës po ekspozon konsumatorin ndaj risqeve të mëdha me mbetje pesticidesh apo patogjenë të ndryshëm.
Në gjithë deklaratën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ku është përgjigja e AKU për ngarkesat në fjalë.
Në fund rezultati është se ne e kemi ngrënë produktin. Këto 52 kilogramë në cilin qark janë shpërndarë, ku janë tregtuar, sa kanë qenë sasitë e ngarkesave të tjera, pse nuk janë marrë mostra për ngarkesat e tjera dhe të bllokoheshin në kufi.
Të gjitha këto më japin të kuptoj se një institucion me 500 punonjës ka dështuar totalisht të garantojë konsumatorin shqiptar për sigurinë e ushqimeve.
Ne nuk e gjurmojmë dot se së pari mungojnë analizat. Është sistemi i gjurmueshmërisë i operatorit të biznesit që tregon çdo lëvizje të mallit.
AKU ka dështuar me gjurmueshmërinë. Ku janë tre ngarkesat e tjera. Unë nuk di sa kilogramë apo sa ton kanë pasur këto tre ngarkesa të tjera.
Dhe nëse është marrë pse nuk është njoftuar konsumatori. Që në 17 shkurt, pse kujtohet në 4 prill AKU që të thotë se keni ngrënë 52 kilogramë luleshtrydhe me pesticide.
Nuk di se si mund të ndihemi më të rrezikuar se kaq. Ditë për ditë kemi ndonjë gjë të re, nuk dimë se çfarë të konsumojmë.
Do të doja që ministrja e Bujqësisë të kërkonte minimumi një falje publike për keq funksionimin e strukturave në varësi të saj. Duhet rishikuar dhe zinxhiri hierarkik.



