
Shërbimet e Komisariatit nr.2 në kanë arrestuar tashmë dy punëtorët dhe inxhinierin e pallatit të kompanisë Arlis sh.p.k për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme në bulevardin "Gjergj Fishta" ku dy kalimtarë të rastit mbetën të plagosur si pasojë e rrëzimit të skelave të pallatit në ndërtim.
Gazetari Besjan Pula, sot nga vendi i ngjarjes, tha për MCN live, se sipas burimeve nga Policia, sot do të merren në pyetje edhe punonjës të tjerë nga kantieri i ndërtimit, kryesisht ata që kanë punuar me ndërtimin e skelës e cila ra nga sipër.
Pula bëri të ditur edhe gjendjen shëndetësore të dy të lënduarve, të cilat tashmë janë jashtë rrezikut për jetën.
Sa i përket pjesës së hetimeve, kam komunikuar sot me drejtuesit e Komisariatit, nr.2, të cilët më kanë konfirmuar se hetimet po vijojnë ndërkohë që sot do të merren në pyetje edhe punëtore të tjerë.
Bëhet fjalë për punëtorë që kanë ndertuar skelën e cila ka rënë nga sipër dhe ata që kanë qene në kantierin e ndërtimit, në momentin e aksidentit.
Ndërkohë gjendja e të plagosurve, sot është më e mirë. Nga dita e djeshme kur 70-vjecari ishte në gjendje më të rënduar fizike, sot ai e ka tejkaluar rrezikun dhe sipas informacioneve që kamë marrë nga Spitali, ai ka fraktura më të rënda në qafë, por pa rrezik tashmë për jetën.
Ndërkohë 45-vjecarja, e cila ka dëmtime në fytyrë është në gjendje më stabile për jetën.
Duhet theksuar se sot kemi konstatuar duke punuar punëtor brenda ambienteve të kantierit të ndërtimit, jo jashtë saj.



