
Kanadaja dhe SHBA-të kanë rënë dakord për të rishikuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA). Dy vendet e fuqishme kanë rënë në kompromis në orët e vona të së dielës pas disa muajsh mosmarrëveshje.
Në një deklaratë të përbashkët pas dakordësisë, ministrja e Jashtme kanadeze, Chrystia Freeland, dhe përfaqësuesi amerikan i Zyrës Amerikane të Tregtisë bënë të ditur emrin e marrëveshjes së re: Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA).
Por pavarësisht suksesit të bisedimeve, palët nuk kanë ofruar shumë detaje konkrete. Ata e kanë cilësuar marrëveshjen si “varianti modern i tregtisë për shekullin XXI”, por pa saktësuar se çfarë lëshimesh konkrete duhet të bëjnë Otava apo Uashingtoni.
"Ne shpresojmë të thellojmë më tej lidhjet tona të ngushta ekonomike, kur kjo marrëveshje e re të hyjë në fuqi", thuhet në deklaratë.
Sipas raportimeve të para në media, marrëveshja u jep fermerëve amerikanë qajse në tregun e mbrojtur të produkteve të qumështit. Ndërsa Kanadaja nga ana tjetër ka pranuar të vendosë një limit për eksportet e makinave drejt SHBA-ve. Tarifat e larta të Kanadasë në shumicën e produkteve amerikane të qumështit ishin bërë pika kryesore e mosmarrëveshjeve, që i kishte penguar negociatat për muaj me radhë, duke bërë që perspektiva e Kanadasë për t’u bashkuar në marrëveshjen SHBA-Meksikë, të dobësohej.
Kjo marrëveshje ishte e domosdoshme të arrihej mes dy vendeve industrialisht të fuqishme, para mesnatës, në mënyrë që ajo të firmoset sot nga presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto, i cili e ka të hënën ditën e fundit në detyrë.
Presidenti amerikan ka deklaruar disa herë se ishte gati ta nxirrte Kanadanë nga kjo marrëveshje, nëse nuk do të arrihej një mirëkuptim i besueshëm. Trump ka lënë disa herë të kuptohet se ekonomikisht, SHBA-të do të ishin më mirë në një marrëveshje pa Kanadanë, por vetëm me Meksikën.



