
Një operacion i policisë së Tiranës, i koduar “Miks”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, kokainë në disa zona të Tiranës.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i D. L., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi G. D., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në afërsi të Brrylit, shërbimet e policisë kanë lokalizuar shtetasin D. L., dhe shtetasin G. D.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit D. L., dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike, rreth 65 tableta ekstazi, sasi lënde narkotike MDMA dhe LSD, sende që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike dhe shuma parash që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet kriminal.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas pasi siguronte lëndët narkotike ekstazi, kokainë, LSD dhe MDMA, i shpërndante ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të Bllokut, Unazës së Re dhe Ish-stacionit të Trenit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



