Adelina Farrici, drejtore ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, foli në edicionin e lajmeve në MCN TV për projektin “Urat e reja për Shqipërinë 2030”. Farrici theksoi se rijetëzimi i zonave pa vlerë, apo ndërtesave shtetërore, do t’i kthejë ato me potencial më të lartë ekonomik dhe do të rrisë të ardhurat për bashkitë. Farrici tha se aktualisht do zbatohet në Tiranë, por s’përjashtohen bashkitë e tjera. Ndër të tjera ajo u shpreh se nuk mund të themi që bashkitë po legjitimojnë paranë informale.

“Aktualisht është Bashkia e Tiranës, por mendoj që mund të jetë një fillim këtu dhe ndoshta mund të prekë edhe bashki të tjera të vendit. Të ardhurat nga ndërtimet zënë një peshë të konsiderueshme në totalin e të ardhurave te qeverisja lokale, por s’mund të themi që bashkitë po legjitimojnë pjesën informale, pasi janë institucione të tjera që merren me paranë informale. Nëse një ndërtues plotëson kriteret, automatikisht nëse ka kërkesë për leje, ligji e lejon që automatikisht të pajiset me leje ndërtime.
Është taksa e ndikimit në infrastrukturë pastaj që kalon te bashkia. Por jo të gjitha bashkitë kanë një masë të konsiderueshme të kësaj takse. Një taksë që është e qëndrueshme për qeverisjen lokale dhe ndihmon nga ana financiare 61 bashkitë është taksa e pasurisë, ndërtesës dhe tokës bujqësore, që ka ardhur në rritje, dhe zë një peshë të konsiderueshme në totalin e të ardhurave të bashkive. Taksa e pronës zë 20-30 për qind të të gjithë të ardhurave të bashkisë dhe ka akoma rezerva për t’u shfrytëzuar. E dyta është taksa e tokës bujqësore, që ka rezerva akoma për t’u shfrytëzuar.
Mendoj që është një perspektivë e mirë sepse rijetëzohen zona që aktualisht s’kanë ndonjë vlerë. Në momentin që zona kthehet me potencial mesatar apo të lartë të zhvillimit ekonomik, do kemi jo vetëm gjallërimin e jetës, rritjen e shërbimeve, por edhe rritjen e të ardhurave të qeverisjes lokale. Kjo siguron autonomi më të madhe për qeverisjen lokale, dhe përkthehet në një shërbim dhe standard më të mirë për qytetarët”.
E pyetur mbi mbledhjen e taksave, Farrici tha që nëse i referohemi 9 mujorit të 2024-ës, kemi një rritje me 27-28 për qind të mbledhjes së taksave, në raport me 9 mujorin e vitit 2023.



