
Kompania e Twitter-it ka vendosur të ndalojë në platformë imazhet e llojit PNG të animuar, pas zbulimit se ato mund të përdoren për të provokuar kriza epileptike te njerëzit e ndjeshëm ndaj dritës. Njoftimin e bëri vetë kompania me një postim në Twitter.
Zbulimi ndodhi pas një sulmi të kryer me hashtag-un e Fondacionit Amerikan të Epilepsisë, në disa postime që përmbanin animacione PNG me efekte stroboskopike që saktësisht mund të veprojnë si një nxitës i krizave.
"Ne dëshirojmë që të gjithë të kenë një përvojë të sigurt në Twitter. APNG-të janë argëtuese, por ato nuk i binden cilësimeve në autoplay”, shkruan kompania në profilin e saj.
Vendimi është për sigurinë e njerëzve të ndjeshëm ndaj ndryshimeve feksëse të dritës, përfshirë ata me epilepsi.
Kompania shprehet në postim se po punon për një alternativë më të sigurt.



