
Një mutacion i ri i koronavirusit me karakteristikat e mutacionit të zbuluar në Britaninë e Madhe dhe variantit Indian është zbulua në Vietnam.
Lajmin për variantin e ri e ka dhënë ministri i Shëndetësisë së Vietnamit Nguyen Thanh Long në një takim qeveritar të Shtunën.
"Kemi zbuluar një variant të ri që është një përzierje e mutacionit të zbuluar në Indi dhe Mbretërinë e Bashkuar. Më konkretisht, është një variant indian me mutacione që fillimisht i përkasin variantit të Britanisë", tha Ministri i Shëndetësisë së Vietnamit.
Ministria e Shëndetësisë e vendit regjistroi të shtunën 87 raste të reja me Covid-19. Në përgjithësi, Vietnami ka pasur 5,164 raste të transmetuara në vend dhe 1,492 raste të importuara që nga fillimi i pandemisë shkruan RT.
Vietnami planifikon të përdorë 100 milion doza të vaksinës për të vaksinuar 70% të popullsisë së saj që është mbi 18 vjeç dhe për të arritur imunitetin e tufës.



