Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, në Tiranë u mblodhen më shumë se 250 fëmijë me aftësi të kufizuara nga e gjithë Shqipëria.
Ndryshe nga përditshmëria, ata janë përfshirë në performanca muzikore, videoprezantime sensibilizuese dhe një sërë aktivitetesh rekreative të zhvilluara përgjatë eventit të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri.
Në fjalimin e tij, ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, Sh.T. z. Faisal Gazi Hifzi, theksoi se Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara është një moment reflektimi mbi vlerat universale të barazisë.
Mbështetja e personave me aftësi të kufizuara nuk është vetëm një detyrë institucionale, por një përgjegjësi morale dhe qytetëruese që pasqyron nivelin e vetëdijes së kombeve. Vizioni 2030 e vendos njeriun, pa përjashtim, në qendër të zhvillimit. Objektivi ynë është të garantojmë një jetë të denjë dhe mundësi të plota për pjesëmarrje aktive në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik”.
Në vijim, ambasadori vuri theksin te vlerat e përbashkëta mes Arabisë Saudite dhe Shqipërisë.
Në emër të qeverisë shqiptare, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Ina Majko theksoi se mbështetja për personat me aftësi të kufizuara mbetet prioritet qendror i politikave sociale të vendit.
Ceremonia u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë solidariteti, duke vënë në qendër dinjitetin dhe gjithëpërfshirjen, ndërsa përgjatë aktiviteteve fëmijët pjesëmarrës janë suprizuar edhe me çmime.



