Një pajisje e vogël eksperimentale në roverin robotik Perseverance të agjencisë amerikane të hapësirës, NASA, e prodhuar në Mars, bën “punën” e një peme të vogël, duke prodhuar oksigjen të mjaftueshëm për të lejuar një astronaut të marrë frymë për 100 minuta.
Metoda e përmendur MOXIE (Eksperimenti i shfrytëzimit të burimeve të oksigjenit në Mars) tani do të përdoret në një shkallë më të madhe për të ndihmuar misionet e ardhshme.
MOXIE, e cila kishte mbërritur në Mars në shkurt të vitit 2021, arriti të prodhonte oksigjen me një shpejtësi prej rreth gjashtë gramë në orë, ose njëlloj sa prodhon një pemë e vogël, madje edhe në kushte të vështira planetare. Në total ka prodhuar tashmë 50 gram oksigjen, çka është i mjaftueshëm për 100 minuta frymëmarrje për një astronaut.
Studiuesit prezantuan rezultatet e MOXIE për herë të parë në revistën shkencore “Science Advances”. Drejtuesi i studimit, Michael Hecht, e cilësoi si sukses të madh, duke thënë se pajisja vazhdonte të prodhonte oksigjen me cilësi të lartë ditën dhe natën, në të gjitha stinët e Marsit dhe në kushte të ndryshme të temperaturës.
Pajisja përdor filtra, pompa dhe kompresorë për të nxjerrë dioksid karboni nga atmosfera marsiane, për ta filtruar dhe pastruar atë, e ngjesh dhe e ngroh në 800 gradë Celsius, më pas e ndan atë elektrokimikisht në atome të oksigjenit dhe monoksidit të karbonit, derisa përfundimisht të izolohet dhe kombinon atomet e oksigjenit për të prodhuar gaz molekular të oksigjenit, i cili lëshohet në ajër.
NASA aktualisht po punon në një version më të madh të pajisjes, rreth një metër kub në vëllim, rreth 100 herë më të madh se ai aktual, teksa po përballen me sfida teknike.
Gradualisht më shumë njësi të tilla do të formojnë së bashku një fabrikë oksigjeni në planetin fqinj, duke shfrytëzuar dioksidin e bollshëm të karbonit që ekziston atje dhe përbën rreth 96% të atmosferës marsiane.



