
I cilësuar si një prej personazheve më të kërkuar në botën e krimit në vendin tonë, Nuredin Dumani është arrestuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Fierit. Burimet nga policia bëjnë të ditur se Nuredin Dumani ishte në gjendje të plagosur, ndërsa me vete i janë gjetur edhe armë.
Arrestimi i tij vjen pas ngjarjes së ndodhur në Paper të Elbasanit, ku dyshohet se Dumani ka tentuar të vrasë Talo Çelën në në atentat. Mirëpo, nuk dihet ende gjendja e këtij të fundit.
Kush është Nuredin Dumani
Nuredin Dumani, 37 vjeç është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo sepse siç ka dëshmuar i penduari i drejtësisë, Klevis Alla, vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre. Dumani, gjithashtu ishte shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator të vitit të kaluar.
Nuredin Dumani akuzohet se ka bashkëpunuar me Talo Çelën në disa ngjarje, ndërsa gjithashtu dyshohet si vrasës i vëllait të këtij të fundit, Bujar Çela.
Nuredin Dumani për drejtësinë shqiptare ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre.



