Një ekspert holandez i sigurisë kibernetike arriti të futet në llogarinë e Donald Trump në Tuiter duke zbuluar fjalëkalimin: maga2020!, shkurtesa për parullën zgjedhore “Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”. 44-vjeçari Victor Gevers pati sukses në përpjekjen e tij të pestë për të gjetur fjalëkalimin, siç i tha gazetës holandeze “De Volkskrant”. "Unë prisja që pas përpjekjes së katërt, ata të më bllokonin ose të paktën të më kërkonin të siguroja informacione të mëtejshme", shpjegoi ai, duke sugjeruar që presidenti i SHBA-ve nuk përdorte as masat minimale sigurie, si verifikimi i dyfishtë.
Gevers arriti të hynte në llogarinë e njeriut më të fuqishëm në botë, me 87 milionë ndjekës: ai mund të kishte postuar në Tëitter ose të ndryshonte profilin e tij. Aspekti më paradoksal, sidoqoftë, janë vështirësitë që hasi për të sinjalizuar këtë problem te pala e interesuar: ai u përpoq të paralajmëronte stafin e fushatës së Trump, familjen e tij, dërgoi mesazhe përmes Tuiterit, ai etiketoi CIA-n, FBI-në, Shtëpinë e Bardhë, por asnjë përgjigje, sipas gazetës.
Ditën tjetër, megjithatë, Gevers vuri re se verifikimi i dyfishtë ishte aktivizuar dhe dy ditë më vonë ai u kontaktua nga Shërbimi Sekret, i cili e ka falënderuar. Sidoqoftë, nuk ishte hera e parë që ky haker me etikë arriti të hynte në llogarinë e Trump-it në Tuiter: ai kishte patur sukses në 2016-n, duke gjetur një fjalëkalim tjetër po aq të parashikueshëm: “you are fired”, fraza e përdorur nga Trump në reality show-n “The Apprentice”.



