
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Tiranës Shefkie Mataj (Demiraj), e cila njihet për drejtimin e seancës për çështjen e tragjedisë së Gërdecit.
Trupa Gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia, Pamela Qirko pasi analizoi provat dhe faktet vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Shefkie Mataj Demiraj.
Komisioni i Vettingut ka konstatuar se gjyqtarja nuk justifikon plotësisht me burime të ligjshme të ardhurash një shtëpi tre kate + papafingo në Tiranë ndërtuar gjatë periudhës 1998-2012, me sipërfaqe rreth 461 m2 dhe me vlerë të deklaruar 20 milionë lekë.
Gjatë seancës dëgjimore Demiraj dha shpjegime për burimet financiare që shërbyen në ndërtimin e një banese tre kate + papafingo në Tiranë.
Lidhur me profesionalizimin, u evidentuan gjetje për dy denoncime nga publiku.
Në njërën ngriheshin pretendime për zvarritje të procesit dhe arsyetimin e vendimit jashtë afateve dhe në tjetrwn që kishte të bënte me caktimin e një mase sigurie.
Shefkie Demiraj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992.
Ajo ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Rrethit Tropojë, ndërsa prej vitit 2006 e ushtronte funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.



