Vrasësi serial i prostitutave në Itali do të duhet të përballet me akuzën e vrasjes së shqiptares Floreta Islami 19 vjet pas krimit. Maurizio Minghella është dënuar me 131 vjet burg, por do të përballet në Gjykatën e Torinos për një akuzë të re: atë të vrasjes së 29-vjeçares shqiptare më 14 shkurt 1998.
Hetimet për rastin në fjalë ishin hapur vitin e kaluar. Autori i vrasjes është 59 vjeç dhe pavarësisht dënimit të rëndë, ai do të fitonte të drejtën për leje daljeje.
Minghella është dënuar edhe për grabitje dhe përdhunime të prostitutave. Por ajo që e ka zbuluar autorësinë e vrasjes ka qenë analiza e AND-së. Në kohën kur ndodhi krimi, kjo lloj analize ishte në hapat e parë të saj. Në shallin e përdorur për të mbytur 29-vjeçaren shqiptare ishin gjetur gjurmë biologjike, të cilat pasi u analizuan nga policia shkencore çuan në profiling gjenetik të Minghellas.
Hetimet e policisë nxorën se në atë kohë, minghella frekuentonte zonën e Rivolit, ku rrinin prostitutat.



