Gjatë konferencës “Tirana Matching Bussines”, i cili u organizua nga Dhoma e Tregtisë, kryeministri Rama paralajmëroi hartimin e një pakete ligjesh, që ka për qëllim t’i vijë në ndihmë zhvillimit të turizmit. Duke theksuar se Shqipëria ka ende potencial të pashfrytëzuar në këtë sektor, Rama tha se qeveria po punon për hartimin e një pakete që parashikon të mbështesë bizneset e reja me 4 dhe 5 yje duke mos u mbledhur taksat për një periudhë 5-vjeçare.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të rritjes së kërkesës dhe për të dytin vit është 25 për qind më e ulët oferta se kërkesa sa i përket turizmit. Por mungon infrastruktura me 4 dhe 5 yje. Aty janë të ardhurat më të mëdha dhe punësimi më cilësor. Ne e kemi përfshirë turizimin në sektorët strategjikë. Po përgatisim një paketë që për çdo investim me 4 dhe 5 yje të ketë një periudhë disavjeçare pa taksa”, tha ai.
Rama u shpreh se do të vijojnë të lehtësohen procedurat burokratike në mbështetje të sipërmarrjes dhe lehtësimit të klimës së biznesit.
“Vendosja para përgjegjësisë e figurave si tatimorët dhe doganierët është themelore. Kjo mund të bëhet shumë lehtë kur të gjithë e kanë të qartë se sipërmarrësi ka mbështetje. Mjafton që ai ti çojë një mesazh ministres së shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes dhe ka menjëherë mbrojtjen e shtetit. Ne po punojmë për të hequr burokracitë. Në një tufë dokumentash që u hoqën iu kursyen sipërmarrjes 56 vjet. Do të ecim në këtë drejtim për të pasur numrin më të ulët të dokumenteve për sipërmarrjen. Ne besojmë se sot jemi në kushtet kur pavarësisht çfarë thuhet në frenngjitë e medias, Shqipëria është një vend i sigurt për biznesin”, tha ai.



