
NATO i ka bërë thirrje Rusisë që të ndryshojë urgjentisht vendimin e saj në një marrëveshje për eksportin e grurit pasi vendi vendosi të tërhiqet nga marrëveshja të shtunën, shkruan skynews.
Në një lutje drejtuar Moskës, aleanca ushtarake i ka kërkuar Vladimir Putinit të rishqyrtojë vendimin e tij për të mundësuar që ushqimi “të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë”.
“Presidenti Putin duhet të ndalojë së përdoruri ushqimin “si armë” dhe t’i japë fund luftës së tij të paligjshme kundër Ukrainës. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të rinovojë urgjentisht marrëveshjen”, tha zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu.
Rusia pezulloi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja pasi akuzoi Kievin për kryerjen e një “sulmi terrorist” në një flotë anijesh të Detit të Zi në Krime.
Nga ana tjetër dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres është shprehur thellësisht i shqetësuar për marrëveshjen e Ukrainës për drithërat e Detit të Zi dhe e ka shtyrë udhëtimin e tij në Algjer për Samitin e Ligës Arabe me një ditë për t’u fokusuar në këtë çështje, tha të dielën një zëdhënës i OKB-së.
“Sekretari i Përgjithshëm vazhdon të angazhohet në kontakte intensive që synojnë përfundimin e pezullimit rus të pjesëmarrjes në marrëveshje. I njëjti angazhim synon gjithashtu rinovimin dhe zbatimin e plotë të iniciativës për lehtësimin e eksporteve të ushqimeve dhe plehrave nga Ukraina, si dhe heqjen e pengesave të mbetura për eksportet e ushqimeve dhe plehrave ruse”, tha në një deklaratë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.



