
Për një javë “Long March 5B” rrëmbeu vëmendjen globale, ndërsa agjencitë hapësinore dhe ekspertët ishin duke ndjekur trajektoren saj dhe duke parashikuar se ku do të binin mbeturinat e saj.
Autoritetet kineze qëndruan të heshtura gjatë gjithë këtyre ditëve pas kritikave mbi papërgjegjshmërinë për raketën e cila përbënte një rrezik sigurie.
Vetëm ditën e diel, Pekini ka reaguar, duke konfirmuar se mbetjet e raketës kishin rënë në oqeanin Indian pranë Maldiveve, pasi shumica e saj ishte djegur në atmosferë.
Për shumë që ndoqën ‘rrugëtimin’ e raketës, rënia e saj në oqean solli një lehtësim të madh. Ndërkohë në Kinë media shtetërore e cilësoi vëmendjen globale si një përpjekje e perëndimit për të diskredituar programin hapësinor të Kinës dhe për të penguar atë.
“Shpifjet e tyre ishin të kota”, shkruhej në “Global Times”, një gazetë shtetërore kineze, ndërsa akuzoi shkencëtarët e NASA-s si “anti-intelektuale”.
“Këta njerëz janë xhelozë për përparimin e shpejtë të Kinës në teknologjinë hapësinore. Disa prej tyre përpiqen të pengojnë nisjet e ardhshme intensive të Kinës për të ndërtuar stacionin e saj në hapësirë”, shkruan gazeta.
Ndërkohë kujtojmë se raketa kineze “Long March 5B”, shkaktoi një panik të madh te qytetarët e shumë vendeve të cilat u cilësuan si vende të mundshme ku mund të binin mbetjet e raketës.



