Deputeti Luan Baçi thotë se në zgjedhjet e 11 majit, vullneti i qytetarëve u tjetërsua pa shkuar në kuti. Rezultati i zgjedhjeve, sipas Baçit, flet për një shkrirje të shtetit me partinë. Baçi tha se PD ka përgatitur dosje të plota me prova për grabitjen e zgjedhjeve.
Nuk ka thjesht akuza, ka prova konkrete që PD po ua bën me dije ndërkombëtare. Kanë nisur takimet me kancelaritë e BE. Është vendosur që do të ketë edhe mision faktmbledhës. Duhet të vijnë këtu dhe t’i shikojnë vetë, sepse PD ka përgatitur dosje të plota.
Faktet dhe provat kryesore që janë mbledhur nuk janë akti i fundit te numërimi i votave. Vota ka ndryshuar dhe ka vdekur pa hyrë në kuti. Ne flasim për një farsë elektorale të parapërgatitur nga partia shtet. Flasim për shkrirje të shtetit me partinë.
Është një fushatë që është bërë nga e gjithë administrata e shtetit. Nuk i lejohet asaj që në orarin e punës të kthehen në patronazhistë. Nuk bëhet fjalë për patronazhistë idealistë. Flasim për administratën, rreth 240 mijë punonjës. Kanë qenë të caktuar për të mbuluar zona të tëra për të intimiduar votues.
Po marr një shembull, Vaska Kopaçe në Fier. Në një vizitë te lokali i një qytetari, pronari na solli fëmijët për të bërë foto e na qerasi pijet. Pas një muaji kishte një javë që terrorizohej. Doli e tha nuk mund t’u shërbej se më ka ardhur shteti dhe do më mbyllë lokalin. Ne nuk jemi organ hetimor, ne nuk kemi as trupa paramilitare për të hetuar shkelësit e ligjit. Të mos krahasojmë të pakrahasueshmen.
Në rastin konkret, po ka pasur një njeri që ka mbajtur gjithë peshën kryesore të fushatës, është pesha elektorale e Sali Berishës. Ka të tjerë plot për të mbajtur përgjegjësinë. Kjo do të vijë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Zgjedhjet janë grabitur dhunshëm. Mandati nuk është i yni, pranimi nuk është në dorën tonë. Është në dorën e qytetarëve. Nuk ka rëndësi si do të jenë hapat më pas. PD dhe Berisha kanë marrë hapin e parë të guximshëm, presim raportin përfundimtar. Këto zgjedhje janë të grabitura. Nuk ka pasur zgjedhje, ka pasur votime.



