Resortet “AquaPark" dhe “Select Hill” në kryeqytet vijojnë t’i bëjnë karshillëk ligjit dhe autoriteteve duke mbajtur të hapur pishinat verore në kundërshtim me vendimin e Komitetit të Ekspertëve të ngritur për situatën e Covid-19.
Kamera e TvT filmoi edhe këtë të dielë, pushues nga kryeqyteti që kanë hyrë lirshëm për të kaluar fundjavën në pishinat e këtyre resorteve. Por kjo dëshmi me zë dhe me figurë mesa duket nuk vlen për autoritetet që bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh, teksa shpërndajnë njoftime për gjobitjen e lokaleve të dasmave.
Pak ditë më parë, ministri i Punëve dtë Brendshme, Sandër Lleshaj, tha se nuk do të lejonte grumbullimet masive në ambiente të mbyllura, përfshirë këtu edhe pishinat verore, sa kohë që autoritetet shëndetësore nuk lejojnë aktivitetin e tyre. Por mesa duket, ministri nuk e ka patur fjalën për këto dy resorte.
Edhe pse pak ditë më parë TVT faktoi me pamje hpajen e pishinave në resortet “AquaPark” dhe “Select Hill”, sërish autoritetet e ngarkuara me ligj nuk kanë vepruar. Mbetet e paqartë pse këto dy resorte shkelin urdhrin ditën për diell, ndërsa të tjera subjekte që veprojnë në këtë fushë zbatojnë me përpikmëri aktin normativ.
Pyetja që shtrohet është se përse “Select Hill”, në pronësi të një prej familjarëve të deputetit socialist, Xhemal Qefalia, dhe “AquaPark-u” në City Park, janë të privilegjuar aq sa vijojnë qetësisht aktivitetin e tyre, pa i penguar njeri, pavarësisht urdhrit të ndalimit të aktivitetit nga Komiteti Teknik i Ekspertëve?!
Ndërkohë të rinjtë kanë zgjedhur të sfidojnë Covidin dhe temperaturat e larta duke shfrytëzuar mundësinë që në shkelje të ligjit ua japin këto dy resorte.



