Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea e akuzuar nga Prokuroria për marrjen e një rryshfetit prej 50 mije eurosh është rikthyer në Shqipëri nëpërmjet portit të Durrësit.
Andrea i kishte kërkuar 50 mijë euro shtetasit Ilia Çabiri për një çështje gjyqësore në Gjykatën e Lartë në lidhje me një pronë prej 40 hektarësh në Butrint.
Gjyqtarja është pezulluar nga detyra si anëtare e Gjykatës së Lartë, për të cilën është njoftuar edhe Kuvendi i Shqipërisë ndërsa sipas dosjes së Prokurorisë, bashkëshorti i gjyqtares kishte marrë shumën e parave nga shtetasi Ilia Çabiri i cili kishte çuar çështjen në Gjykatën e Lartë për një pronë prej 40 hektarësh në Butrint. Gjyqtarja Andrea është rikthyer nga Italia pa bashkëshortin, Odhise Andrea, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë arrest me burg.
Shuma e parave sipas Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka hetuar rastin, është dhënë një ditë para vendimit, pra më 11 korrik 2016, ndërsa një ditë më vonë, Gjykata e Lartë ka shqyrtuar padinë dhe paditësi ka përfituar pronën me vendim në favor të shtetasit Ilia Çabiri.Sipas prokurorisë, vendimi është marrë më 12 korrik dhe gjyqtarja Andrea ishte anëtare e trupës që shqyrtonte çështjen.



