
Megjithëse një rritje e rasteve është vënë re në vende të ndryshme të botës të variantit të ri Omicron, Ministri i Shëndetësisë i Afrikës së Jugut thotë se nuk ka "nevojë për panik".
Dr Joe Phaahla tha se donte të "përsëriste se nuk ka absolutisht nevojë për panik" sepse ky "nuk është një territor i ri për ne". “Tani kemi më shumë se 20 muaj përvojë përsa i përket Covid-19, varianteve dhe valëve të ndryshme”, tha ai në një konferencë për media.
Ndër të tjera ai ‘dënoi’ edhe ndalimet e udhëtimit të vendosura në vend, duke thënë se ato duhet të hiqen menjëherë. Omicron është klasifikuar si një "variant shqetësues". Provat e hershme sugjerojnë se ka një rrezik të rritur të ri-infeksionit.
Varianti me mutacion të madh u zbulua në Afrikën e Jugut në fillim të këtij muaji dhe më pas u raportua në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të mërkurën e kaluar. Varianti është përgjegjës për shumicën e infeksioneve të gjetura në provincën më të populluar të Afrikës së Jugut, Gauteng, gjatë dy javëve të fundit.
Afrika e Jugut raportoi 2,800 infeksione të reja të dielën, një rritje nga mesatarja ditore prej 500 në javën e kaluar. Këshilltari i qeverisë dhe epidemiologu Salim Abdool Karim tha se ai priste që numri i rasteve të arrijë në më shumë se 10,000 në ditë deri në fund të javës dhe që spitalet të vihen nën presion në dy deri në tre javët e ardhshme.
Të hënën, Japonia u bë vendi i fundit që rivendosi kufizime të ashpra kufitare, duke ndaluar hyrjen e të gjithë të huajve nga 30 nëntori. Mbretëria e Bashkuar, BE dhe SHBA janë ndër ata që më parë vendosën ndalime udhëtimi në Afrikën e Jugut dhe shtete të tjera rajonale.
OBSH ka paralajmëruar kundër vendeve që vendosin me nxitim kufizimet e udhëtimit, duke thënë se ata duhet të shikojnë në një "qasje të bazuar në rrezik dhe shkencore". Omicron tani është zbuluar në një numër vendesh anembanë botës, duke përfshirë MB, Gjermani, Australi dhe Izrael.



