
Një aplikacion për iPhone që zbulon nëse shpërndarësi po i kufizon shërbimet në internet u refuzua nga Apple kur krijuesi i tij u përpoq ta fuste në listën e produkteve të kompanisë në dyqanin virtual App Store.
David Choffnes, një profesor universiteti që kryen studime mbi rrjetin dhe sistemet e shpërndarjes, krijoi një aplikacion që e quajti “Wehe”, i cili teston shpejtësinë e Youtube, Amazon, NBCSports, Netflix, Skype, Spotify dhe Vimeo. Nëse në një nga këto shërbime konstatohet shpejtësi nën normalen, kjo do të thotë se shpërndarësi ISP po e kufizon atë.
Apple e ka refuzuar këtë aplikacion me argumentin se ai nuk u sjell asnjë përfitim përdoruesve.
Apple lejon aplikacione të tjera që lejojnë testimin e bandës së internetit, si p.sh. Ookla’s Speedtest. Në thelb, shërbimi i testimit të shpejtësisë së internetit nuk ndryshon, prandaj refuzimi i Apple për këtë aplikacion duket i habitshëm.
Testimi i neutralitetit
Të testosh nëse shpërndarësi po të kufizon një shërbim është diçka e komplikuar, pasi vetë shërbimet online luajnë një rol madhor në cilësinë e shërbimit dhe një sërë faktorësh të tjerë mund të ndikojnë.
Komisioni Federal i Komunikacionit miratoi në dhjetor heqjen e neutralitetit, një tërësi rregullash që ndalojnë bllokimin, kufizimin apo dhënien e prioritetit për postimet e sponsorizuara.
Teknikisht, këto rregulla janë ende në fuqi deri 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, i cili nuk është bërë ende.
Pasi kjo të ndodhë, shpërndarësit do të kenë të drejtën e bllokimit, të kufizimit dhe dhënies përparësi materialeve të caktuara kundrejt pagesës.



