Presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky u bëri thirrje nënave ruse në një video-mesazh të premten.
Ai u ka kërkuar atyre që të mos i dërgojnë djemtë në fushën e betejës dhe të ushtrojnë vigjilencë për vendndodhjen e tyre.
“Dua t’ua them këtë edhe një herë nënave ruse, veçanërisht nënave të rekrutëve. Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një vend të huaj”, tha ai në një fjalim emocionues.
Presidenti u bëri thirrje atyre që të “mos i besojnë premtimeve se do të dërgohen diku për stërvitje ose kushte jo luftarake”, dhe u kërkoi “të veprojnë menjëherë” nëse ka dyshime se ata po dërgohen për të luftuar në Ukrainë.
Fjalimi vjen pasi Rusia pranoi për herë të parë të mërkurën praninë e rekrutëve në radhët e forcave të saj në Ukrainë, shumë prej të cilëve ishin të patrajnuar për betejë dhe njoftoi se një numër prej tyre ishin zënë rob.



