Gaz Pajës i përfundon statusi i investitorit strategjik

Gaz Pajës i përfundon statusi i investitorit strategjik

Në datën 2 shtator 2019, Komiteti i Investimeve Strategjike vendos që t’i japë statusin “investitor strategjik me procedurë të asistuar” projektit Dhërmi Resort.

Kompania Startek në pronësi të Lulzim Mehmetajt dhe Echotech Energy Services me pronar aktorin e humorit Gazmend Paja aplikuan për të marrë këtë status për ndërtimin e një kompleksi turistik në bregdetin e Dhërmiut. Ky vendim u jep atyre mundësinë që të marrin tokë shtet kundrejt vlerës simbolike 1 euro dhe përdorimin e plazhit. Benefitet e tjera që ata përfitojnë lidhen me aksesin në rrjetin e energjisë elektrike të kompleksit, furnizimin me ujë të pijshëm, infrastrukturë rrugore dhe kanalizime.

Si garanci financiare, subjekti ka dorëzuar një deklaratë nga kompania e sigurimit Intersig dhe një letër interesi për kredi nga banka BKT. Sot, 3 vjet më pas dhënies së statusit, projekti nuk ka nisur ende zbatimin, ndërsa afati ka përfunduar.

Agjencia për Zhvillimin e Investimeve thotë se projekti nuk ka arritur që të fillojë pasi nuk është kryer regjistrimi fillestar i zonës. Në të njëjtën tokë, ku do të ndërtohej ky kompleks turistik, Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet për falsifikim të dokumentave për tjetërsimin e pronarit të tokës, i cili sipas hetimeve është shteti dhe ka vënë nën hetim 10 persona, banorë të zonës dhe punonjës të bashkisë Himarë. Dyshimet e organit të akuzës janë se këta individë kanë prodhuar dokumenta false si Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, duke pretenduar se përfitonin kullotë nga ligji 7501. Nëse këto akte do të regjistroheshin, atëherë investitori strategjik do të duhej që të shpronësonte pronarët dhe në rastin kur toka do të mbetet shtet, atëherë ai e përfiton kundrejt vlerës 1 euro.

Ky hetim ka mbajtur pezull nisjen e investimit, duke sjellë dhe përfundimin e statusit strategjik për Lulzim Mehmetajn dhe Gazmend Pajën. Por pavarësisht përfundimit të afatit, statusi i dhënë nuk është revokuar ende nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Ky nuk është projekti i vetëm strategjik që është mbajtur në xhepin e investitorëve, 40% e investimeve strategjike të miratuara në fushën e turizimit nuk kanë nisur ende. Për katër prej tyre : Dhërmi Resort, San Pietro, Kep Merli dhe “Green Coast 1” afati i statusit ka përfunduar.

Sot punimet për 3 nga këto projekte vazhdojnë, por askush nuk u ka revokuar atyre të drejtat e përfituara si “investitor strategjik” edhe pse janë në shkelje të afateve.

Për komunitetin e biznesit, ligji për investimet strategjike ka nevojë të rishikohet dhe të vendosë penalitete monetare për investitorët. Zona me rëndësi për zhvillimin e vendit mbahen peng nga investimet e mundshme duke bllokuar toka dhe pasuri shtetërore dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Nga 26 investime të miratuara në total në fushën e turizmit, vetëm 3 kanë përfunduar, 14 ndodhen në proces ndërtimi dhe 10 të tjera nuk kanë nisur ende.

Projektet nuk kanë vetëm mangësi në përmbushjen e detyrimit për të zbatuar afatet e ndërtimit, por janë miratuar në kushtet kur shumë kompani nuk justifikojnë kapacitetet financiare.

Gjysma e investitorëve strategjikë në fushën e turizimit, kanë dorëzuar si kapacitet financiar një letër interesi kredie nga bankat e nivelit të dytë, ose kontratë sigurimi nga kompanitë e siguracioneve.

Bilancet e tyre sa u takon kapitalit apo të ardhurave, janë në vlera modeste, duke ngritur pikëpyetje të mëdha se ku do të gjenden qindra miliona euro për të bërë këto investime?

Për ekspertët, vetë ligji ka hapësira që lejojnë depërtimin e parave të pista, pasi ka si kusht që firma të ketë vetëm 10% të vlerës së investimit. Ata thonë se ka ardhur koha që ky ligj të ndryshojë dhe të ketë filtra më të fortë për ata që klasifikohen strategjikë duke vendosur njëkohësisht penalitete nëse nuk përmbushin angazhimet që kanë marrë në projekt.

Përveç përfitimit të benefiteve në natyrë siç është toka dhe shfrytëzimi i plazhit, investitorët strategjikë kanë të drejtë të kërkojnë vendime administrative që prodhojnë pasoja sociale. edhe prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe garantimin e moslegalizimit të shtëpive nga autoritet duke prodhuar edhe pasoja sociale.

Një nga shembujt më konkretë është rasti i kompanisë Imperial Group për projektin “Silver Sand” në Velipojë, ku kërkohet prishja e ndërtimeve të paligjshme dhe garantimi i moslegalizimit të shtëpive të ndërtuara pa leje nga autoritet.

Nëse projekti nuk zbatohet por efektet e tij janë në prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe mohimi i të drejtës ligjore të banorëve për t’u legalizuar shtëpitë, a duhet të ketë penalitete për investitorët?

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy